Avazi i vjetër i dorëheqjeve të anëtarëve ndërkombëtarë të KShC-së

Të gjithë zyrtarët e lartë publik në Kosovë duhet që ta deklarojnë pasurinë e tyre. Kjo është pika që për dy herë radhazi bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), brenda një viti po mbetet jo funksional.

Më 27 korrik, më pak se një muaj prej që u votuan në Kuvendin e Kosovës si anëtarë, tre anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së, Alison Felce, Cassie Barnhardt dhe Werner Stueber dhanë dorëheqje nga këto pozita, duke treguar se deklarimi i pasurisë së tyre në Kosovë është arsyeja kryesore.

E në të njëjtin arsyetim kishin dhënë dorëheqje edhe tre paraardhësit e tyre nga ky bord.

KShC është institucion që merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Aktualisht në këtë bord janë vetëm anëtarët vendor: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Dukagjin Zeka dhe Rozafa Koliqi.

Anëtarë për një muaj

Alison Felce, Cassie Barnhardt dhe Werner Stueber dhanë dorëheqje, pasi vendosën për akreditimin e rreth 230 programeve për institucionet e arsimit të lartë dhe për akreditime institucionale.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të anëtarëve ndërkombëtarë të dorëhequr, nëse para se të merrnin pozitën si anëtar të KShC-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i ka njoftuar se duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë, por jo të gjithë  kanë dhënë përgjigje.

Njëri nga anëtarët e dorëhequr, Werner Stueber, tha se këtë pyetje duhet ta drejtojmë tek Ministria e Arsimit.

“Ju lutemi drejtojini kërkesat tuaja ose Ministrisë ose Bordit të KShC”, tha ai, ndërsa dy anëtaret e tjera nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikim e artikullit.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnija Ilazi tha se anëtarët e kanë konsideruar dorëheqjen e tyre para një jave, por sipas saj, problem i tyre ka qenë publikimi i deklarimit të pasurisë së tyre dhe jo deklarimi.

“Ata nuk e kanë pasur problem kryesor deklarimin e pasurisë, por në vendet që ata vijnë nuk është një praktikë e tillë. Tjetra, nuk kanë dashur që ajo të publikohet dhe jo që nuk kanë dashur të mos e deklarojnë dhe kjo për çështje të sigurisë”, tha Ilazi për KALLXO.com.

Ndërsa, nga ana e Minstrisë së Arsimit dhe Shkencës, thonë se ata kanë qenë të njoftuar për obligimin e deklarimit të pasurisë.

“MAShTI i ka ndjekur të gjitha procedurat për emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së kanë qenë të nominuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe që në fillim kanë qenë të njoftuar me obligimet për deklarim të pasurisë sipas legjislacionit ekzistues”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Tutje, sipas MAShT-it, theksohet se dorëheqja e anëtarëve nuk krijon ndonjë pasojë për KShC-në. Por, sipas MAShTI-t, këto pozita nuk do të plotësohen deri sa të ndryshohet ligji.

“Siç e dini, Ligji për deklarimin e pasurisë është në proces të rishikimit dhe gjatë ndryshimit të tij do të adresohet edhe kjo çështje. Të tri këto pozita do të plotësohen sapo të ndryshohet ky ligj. Fatmirësisht dorëheqja 3 anëtarëve nuk krijon ndonjë pasojë as për Këshillin Shtetëror të Cilësisë e as për arsimin e lartë në përgjithësi meqë në mbledhjen e fundit të KSHC-së është marrë vendim për të gjitha raportet e ekspertëve ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigje.

PDK: MAShTI s’i ka treguar ndërkombëtarëve për deklarim të pasurisë

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha tha se dorëheqja e këtyre anëtarëve ka ardhur pasi Ministrja e Arsimit, nuk i ka zhvilluar e shteruar konsultimet e nevojshme me kandidatët për anëtarë, sipas saj, për t’ju sqaruar se pos tjerash ekziston edhe ky obligim ligjor, krahas përgjegjësisë në këtë Këshill.

“Pra, mund ta konsiderojmë lirisht se ekspertët ndërkombëtarë janë vënë në lajthitje nga Ministrja Nagavci, prandaj edhe ata dhanë dorëheqje”, është shprehur ajo.

Hoxha shtoi tutje se propozimi dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj, duhet të bëhet sa më parë dhe të propozohen ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, por të njoftohen paraprakisht për këto obligime.

“Nëse nuk merren veprime për ndryshimin e ligjit në fuqi për deklarimin e pasurisë (për t’a paraparë një përjashtim për këta persona), atëherë të njoftohen paraprakisht nga MAShTI, e pastaj të propozohen, emërohen dhe zgjedhën”, tha deputetja më tej për KALLXO.com.

Dorëheqjet e kaluara

Për arsye të njejtë kishin dhënë dorëheqje edhe tre ish-anëtarët ndërkombëtar të KShC-së, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo, në muajin shkurt të këtij viti. Por, ata në këtë bord kishin qëndruar për pothuajse tri vite.

Ata nuk e kishin deklaruar asnëjherë pasurinë e tyre në Agjencionin Kundër Korrupsion, që nga viti 2018 kur ishin emëruar në këto pozita nga Kuvendi i Kosovës.

Pasi ata dhanë dorëheqje, edhe dy anëtarët e tjerë vendor, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Krasniqi lëshuan këtë bord.

Pas kësaj, ministria e Arsimit dhe Shkencës, me qeverinë e re e formoi një komision profesional që i ka përzgjedhur 4 prej rreth 30 aplikantëve dhe i kanë rekomanduar ministres, Arbërie Nagavci për miratim. Kurse, për 3 anëtarët ndërkombëtar propozime kanë dhënë organizatat ndërkombëtare në vend, të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje.

Ky bord u funksionalizua në qershor me votimin e tyre në Kuvend.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Ndërsa, deri tek emërimi i anëtarëve siç parashihet sipas nenit 7, pikës 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë, anëtarët e propozuar duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.