Avazi i njëjtë, Kuvendit i mungon sërish kuorumi për votim

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për ta votuar Raportin Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019.

Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se grupi Parlamentar i tyre ka konsideruar se një agjenci e tillë ka rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit të prokurimit publik.

Murati tha se në aspektin e monitorimit ky institucion nuk e ka kryer punën si duhet.

“Në vitin 2019 kemi pa rritje enorme të kontratave me negocim pa procedurë, pa tenderim, me negocim të mbyllur, kemi pa rritje të aneks kontratave në shumë enorme. Për dy kategoritë viti 2019 shënon rekord”, tha ai.

Murati tha se nuk mund ta mbështesin këtë raport.

“Presim që duhet ndryshime rrënjësore të përmirësohet procesi i prokurimit. Është njëra ndër hallkat më të dobëta në shtetin e Kosovës”, tha ai.

Shkëlzen Hajdini nga LDK-ja tha se ky raport përmban të dhënat mbi kantatat e nënshkruara për vitin 2019.

“Gjithsej ishin 12 mijë e 461 kontrata të publikuar për afërsisht 781 milion euro. Kërkojmë nga kjo organizatë buxhetore të rris montorimine  kontratave”, tha ai.

Hajdini tha se GP i LDK-së do ta votoj këtë raport por sipas tij do ta theksojnë se performanca e KRPP-së len shumë për tu dëshiruar.

“Mandati i kësaj organizate buxhetore ka të bëjë me mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik të cilat nëse zbatohen në plotni do të ndikoj në avancimin e mëtutjeshëm të procedurave të prokurimin publik dhe perceptimin e qytetarëve rreth prokurimit publik”, shtoi ai.

Edhe PDK-ja dhe AAK-ja shprehën gatishmërinë ta përkrahin këtë raport.

E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci, tha se “nuk është askush nga qeveria për ta diskutuar këtë pikë dhe nuk ka kuorum për ta vendos në votim”.