Avazi i AAK-së me zëvendësministra vazhdon edhe në qeverinë Hoti

Kur Ramush Haradinaj i printe qeverisë, i kishte emëruar mbi 80 zëvendësministra në 21 dikastere të ekzekutivit.

Por, partia e tij, zëvendësministra ka emëruar edhe në qeverinë të cilën e drejton Avdullah Hoti i LDK-së, në të cilën AAK është partner i dytë për nga fuqia politike.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përveç që drejtohet nga një zyrtar i AAK-së, Blerim Kuçi, i ka edhe tre zëvendës nga po e njëjta parti. Burbuqe Bakia- Deva, Muharrem Nitaj dhe Rexhep Kadriu do të jenë zëvendës të Kuçit në këtë ministri.

Përveç tre zëvendësministrave të AAK-së në këtë ministri është emëruar edhe ish-kryetari i Ferizajt nga LDK, Muharrem Sfarqa. Ndërsa, KALLXO.com merr vesh që zëvendësministre e pestë në këtë dikaster pritet të emërohet Sema Ispahiu.

Derisa katër zëvendësit e tij i ka konfirmuar ministri Kuçi, për Ispahiun ka thënë se ende nuk e ka pranuar vendimin. Kuçi u shpreh se ka nevojë për mbështetje në këtë ministri.

“Jemi në proces, deri më tani janë katër, nuk e di a do të jetë edhe i 5-i, tu e pasë parasysh këtu në ministrinë ku jam unë, i bie që janë tri ministri të bashkuara edhe normalisht kam nevojë edhe për ndihmën e zëvendësministrave. Sema, ende nuk ka ardhë, nuk e kam bë komunikimin, nuk e kam dokumentacionin përkatëses dhe vendimin e kryeministrit, të tjerët janë ata”, ka thënë ai në një bisedë për KALLXO.com.

Qeveria Haradinaj ishte kritikuar për numrin e madh të ministrive por edhe zëvendësministrave. E numri në total i stafit politik gjatë qeverisjes i kushtonte shumë kuletës së shtetit.

Qeveria Hoti ka 16 ministri, një më shumë se Qeveria Kurti. Avdullah Hoti ka zgjedhur edhe katër zëvendëskryeministra ndërsa ende nuk ka treguar sesa zëvendësministra i ka emëruar, ndonëse redaksia ka dërguar pyetje në Kryeministri qe tri ditë.

Sa na Kushton “Ushtria” e Gjeneralit

www.kallxo.com