Gjyqtari Beqir Kalludra |Foto: KALLXO.com

Avancohet gjyqtari Beqir Kalludra, KGjK tregon se çfarë ndodhë me rastet që po i gjykonte ai

Beqir Kalludra, i cili është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin për Krime të Rënda, në mbledhjen e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të mbajtur dje është përzgjedhur në mesin e gjyqtarëve të cilët u avancuan si gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Beqir Kalludra, në Gjykatën e Prishtinës,  ka gjykuar lëndë të natyrave të ndryshme, që nga vrasjet e rënda, vrasjet në tentativë, pastaj veprat penale të terrorizmit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare e të tjera…

Kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj ka deklaruar për KALLXO.com se asnjë rast gjyqësor i cili momentalisht është në proces e sipër, nuk do të kthehet në pikën zero.

Sipas Çoçaj, gjyqtarët të cilët tashmë janë emëruar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës kanë të drejtë që të gjykojnë lëndë edhe nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

Prandaj, duke u bazuar në këtë fakt, Çoçaj ka thënë për KALLXO.com se të njëjtit gjyqtarë, do të jenë të ngarkuar edhe me përfundimin e lëndëve të tyre që i kanë në Departamentin për Krime të Rënda dhe njëkohësisht do të ngarkohen edhe me lëndë të reja nga Departamenti Special.

Ndër rastet më të njohura të cilat i ka gjykuar Kalludra, e të cilat janë të njohur edhe në publik, janë  rasti “Toka”, ku ish deputeti i PDK-së Azem Syla Adhe 21 të tjerë akuzohen për krim të organizuar në shpronësimin e tokave.

Prokuroria Speciale me 25 tetor 2016 ngriti 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish- deputeti Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evasion fiskal.

Kanë kaluar katër vite dhe ende ky rast nuk ka përfunduar në Gjykatën Themelore.

Rasti tjetër që është ende në proces është ai i ish- aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku të akuzuar janë Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Frashër Krasniqi.

Të gjithë këta ishin  dënuar nga Gjykata Themelore, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Gjykimet më të njohura të Beqir Kalludrës në Gjykatën e Prishtinës

Beqir Kalludra ka qenë kryetar i trupit gjykues edhe te rasti i tenderit të KEK-ut, ku të akuzuar ishin kryetari i Komunës së Skenderajit, Sami Lushtaku; ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjuka; si dhe Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Në këtë rast Sami Lushtaku ishte liruar nga akuza dhe së bashku me të janë liruar edhe pesë të akuzuarit e tjerë përfshirë ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Kalludra e kishte gjykuar edhe rastin e Gjina Zeqirit, gjinekologes së akuzuar për transplantim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Ndonëse ishte në arrati, Zeqiri ishte gjykuar në mungesë dhe ndaj saj Gjykata e Prishtinës, në krye me gjykatësin Beqir Kalludra, kishte marrë aktgjykim lirues.

Ai kishte qenë vendimarrës edhe në rastin e Suzana Zogjani- Sekiraqa, e cila akuzohet par vrasjen e bashkëshortit të saj, me të cilën e njëjta ishte dënuar me 25 vite burgim, më pas ky vendim  ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit, mirëpo rasti tash më ka kaluar në Gjykatën Supreme.

Kujtojmë se ky rasti  i së cilës u ri aktualizua nga aktiviste e gazetarë të drejtave të grave, të cilët kërkuan, falje të dënimit ose kthimin në rigjykim të rastit.

Rastin  ‘Ferronikeli’, ku i akuzuar ishte ish- kryetari i Komunës së Lipjanit Shukri Buja si dhe Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Bajram Rizani, Edmond Rexhepi, Fahri Vishesella, Driton Avdiu, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra.

Pas dënimit që iu kishte shqipuar Kalludra, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim, dhe në rigjykimi, Shukri Buja është dënuar me 2 vite burgim për veprën keqpërdorim detyre. Përveç kësaj, Buja është detyruar që Komunës së Lipjanit t’i kthejë 79 mijë euro.

Halit Gashi, u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim mund të zëvendësohet me 2 mijë euro gjobë.

Bajram Rizani është dënuar me 6 muaj burgim, Edmond Rexhepi po ashtu është dënuar me 6 muaj burgim të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Hashim Vishesella është dënuar me 5 muaj burgim. Ndërkaq Driton Avdiu, Fahri Retkoceri,  Magbule Sadiku dhe Burim Kodra janë liruar nga akuza.

Rastin e dhjetë ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, ku të akuzuar ishin Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti , Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi.

Ismet Haliti është dënuar me dënim me burgim 2 vite për keqpërdorim detyrës dhe me 1 mijë euro gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli ishte dënuar me burgim 1 vit për veprën keqpërdorim i pozitës ndërsa për armëmbajtje pa leje me 1 mijë euro gjobë.

Blerim Syla, Vehbi Abdullahu dhe Blerim Ibishi janë dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre do t’iu shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 12,000 euro.

Me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Drita Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do t’iu zëvendësohet në gjobë në shumën prej 10,000 euro.

Po ashtu me 6 muaj burgim janë dënuar edhe të akuzuarit Ardian Muhadri dhe  Granit Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohet në gjobë në shumë prej 8,000 euro.

Kalludra ka gjykuar edhe rastin e ish-imamit Shefqet Krasniqi i cili ishte liruar nga akuza për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprave terroriste, dhe ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Gjyqtari Kalludra, pritet që me 1 janar 2021 të filloj punën në Gjykatën e Apelit, ndërsa rastet të cilat kanë qenë duke u gjykuar nga ky gjyqtar, raste të cilat janë në proces ende nuk dihet se cilit gjyqtar do t’i kalojnë.