Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë "Sheikh Zayed"
Avancimi i kandidates me konkurs të brendshëm pa konkurs publik në repartin e 'Radiologjisë' në Spitalin e Vushtrrisë
Shpresa Ramiqi, e cila punonte si asistente administrative e Radiologjisë në Spitalin ‘Sheikh Zayed’ në Vushtrri është transferuar me konkurs të brendshëm në pozitën teknike e Radiologjisë që nga data 06.06.2021.
Transferimi i Ramiqit është bërë nga asistente administrative e Radiologjisë në teknike të Radiologjisë, dhe për këtë Spitali i Vushtrrisë nuk hapi konkurs publik për t’u ofruar mundësi që për këtë pozitë të aplikojnë nga jashtë, pra ka qenë vetëm një konkurs i brendshëm.
Nga menaxhmenti thonë se kjo ka ndodhur në mungesë të stafit dhe fluksit të punës në këtë repart teksa të hapin një konkurs publik nuk e kanë parë të arsyeshme.
Krahas pozitave të lartcekura, KALLXO.com ka mësuar në vitin 2017 e njëjta ka punuar edhe si kuzhiniere në spital. Pastaj i është caktuar detyrë e re në vendin e punës Administratore në Repartin e Radiologjisë në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh duke filluar nga data 02.05.2017 gjer më 02.11.2017.
Shpresa Ramiqi ka ndërruar tre pozita në spital, nga kuzhiniere në asistente administrative, nga asistente administrative në teknike të Radiologjisë. Në pozitën aktuale është pranuar vetëm me konkurs të brendshëm.
Në një përgjigje për KALLXO.com, nga Spitali “Sheikh Zayed” kanë thënë se arsyeja e transferimit nga asistente administrative në teknike të Radiologjisë ishte nevoja për teknik të Radiologjisë për shkak të punës me ndërrime në 24 orë dhe volumit të madh të punës ku përfshihet, RTG, UZ, CT, mamografi. Si dhe punët administrative, si lista e pritjes, organizimi i pacientëve dhe sistemimi i tyre. Teksa të njëjtit thonë se kanë vetëm 6 teknikë të Radiologjisë.
“Ka qenë në punë në të njëjtën njësi – Radiologji. Me kompetenca dhe përgjegjësi të Teknikes së Radiologjisë krahas asistentes në Radiologji. Ka qenë dhe është në të njëjtën kategori pune dhe në të njëjtin koeficient. I vetmi ndryshim është përshtatja e punës që bën, kompetencave që ka dhe legjislacionit përkatës për paga dhe zyrtarë publikë. Nuk ka asnjë ndryshim përmbajtjesor”- thuhet në përgjigjen e spitalit.
Mos hapjen e konkursit, menaxhmenti i spitalit të Vushtrrisë e kanë arsyetuar me atë se nëpunësja mund të transferohet për interes të institucionit.
“Nëpunësja mund të transferohet për interes të institucionit në mënyrë të përhershme në vend tjetër të punës për ushtrimin e funksioneve të njëjta ose të ndryshme, në të njëjtën kategori të shërbimit civil. Për rastet kur nëpunësja është e nivelit drejtues të ulët, mesëm apo të lartë, transferimi sipas këtij neni bëhet për periudhën e mbetur të mandatit për të cilin është emëruar. Përgatitja profesionale e nëpunëses që transferohet duhet të jetë në përputhje me kërkesat e pozitës në të cilën transferohet”- thuhet në përgjigjet e Spitalit.
Meqë sipas dokumentit të dërguar nga spitali në adresë të KALLXO.com e njëjta është duke punuar në të njëjtin koeficient e njësi, ata thonë se nuk e kanë parë të logjikshme hapjen e një konkursi.
“Nuk ka asnjë logjikë dhe rregullim juridik shpallja e konkursit për punëtorin i cili është duke punuar në të njëjtën njësi, me të njëjtin koeficient e sistemuar nga DMZP dhe me kualifikim në përputhje me pozitën, kur është e qartë baza ligjore e sistemimit të brendshëm”- thanë ata.
Sipas spitalit nga 175 vende pune, prej tyre 171 janë të plotësuara. Katër vende janë të ruajtura për specialistë e anesteziolog dhe për këto pozita hapen konkurse.
“Katër vende janë të ruajtura për specialistë, anesteziolog sepse e kemi vetëm një ndërsa puna është e organizuar 24 orë, specialist të biokimisë sepse nuk e kemi asnjë, mjek emergjent sepse i kemi vetëm katër dhe pediatër sepse i kemi vetëm katër. Për këto lëmi specialistike hapim konkurs në vazhdimësi deri në plotësimin e tyre për shkak të mungesës”- thanë ata.
Për këto lëmi specialistike të lartpërmendura, nga spitali thonë se hapin konkurs në vazhdimësi ndërsa për infermier apo teknik nuk e shohin të arsyeshme të hapin konkurs.
“Këto katër vende të paplotësuara janë të domosdoshme të plotësohen me kuadër specialistik dhe nuk mund të shpallim konkurs për staf infermierik apo teknik në mungesë të specialistëve. Ndërsa mungesat e tjera në Spital, sikurse kjo në Radiologji ku ka volum pune dhe orar 24 orë, mundohemi t`i plotësojmë bazuar në legjislacionin në fuqi për sistemimin e kuadrit sipas nevojave dhe kualifikimeve për interesa të institucionit”- përfunduan ata.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe vetë Shpresa Ramiqin për të marr versionin e saj, mirëpo nuk ka qenë e qasshme.