AUV: Therjet e kurbaneve të bëhen vetëm në thertoret e licencuara

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje qytetarëve që therjen e kurbaneve me rastin e ‘Kurban Bajramit’ ta bëjnë vetëm në thertore të licencuara.

AUV ka përkujtuar se therja e kurbanëve jashtë objekteve të licencuara përbën shkelje ligjore, për faktin se rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik.

“Ju apelojmë qe therjen e Kurbaneve ta bëni vetëm në thertoret e licencuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përben shkelje ligjore ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik. Tani qe po mbretërojnë temperatura të larta, rrisin rrezikun e kontaminimit të produkteve qe i ekspozohen të nxehtit”- thuhet në njoftimin e AUV-it.

Ky institucion ka bërë të ditur se në Kosovë janë mbi 50 objekte të licencuara për therjen e kafshëve të cilat kanë kapacitet të mjaftueshëm.

“Duhet secili ta ndjejmë si obligim qe mos të krijojmë imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësira publike, në mënyrë jo humane dhe në kushte jo higjienike. Festoni sigurt dhe shëndetshëm”- ka theksuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Të dielën, më 16.06.2024, besimtarët myslimanë festojnë “Kurban Bajramin”.