Bukë - Foto: KALLXO.com

AUV: S'po i testojmë aditivët në bukë sepse po duam ta kursejmë buxhetin shtetëror

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka deklaruar se analizat e aditivëve në bukë nuk po bëhen për shkak se AUV dëshiron të kursejë buxhetin e shtetit.

“Pse ne të shpenzojmë buxhet shtetëror dhe pse të shpenzojmë energji të inspektorëve për të matë një parametër i cili me rregullore nuk ka limit”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas Thaçit, përdorimi i aditivëve në bukë është i rregulluar me Rregulloren për Aditivët Ushqimorë dhe bën pjesë në grupin e aditivëve që nuk kanë limit të përdorimit.

“Ne e kontrollojmë edhe aditivin kur hyn në doganë. Nuk importohet shumë aditiv dhe është në proporcion me kërkesat. Përdorimi i aditivëve në bukë nuk ka limit, pra mund të vendoset sipas recetës së furrës. Përdorimi i aditivit sipas rregullores së aditivëve përcaktohet me termin Quantumsatis dhe mund të përdoret varësisht prej furrës. Është rregullore e BE dhe është harmonizuar me rregulloren tonë”, ka shtuar më tej Thaçi.

Sipas Rregullores për Aditivët Ushqimorë, Quantumsatis është sasi e dëshiruar që nënkupton se nuk është përcaktuar ndonjë vlerë më e lartë numerike dhe se aditivët përdoren në pajtim me praktikat e mira të prodhimit në sasi e cila nuk është më e lartë nga ajo e nevojshme për arritjen e qëllimit, me kusht që kjo të mos shkaktojë huti për konsumatorin.