Asgjësimi i mishit. Foto: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, 02.08.2024.
AUV asgjëson mbi 26 mijë kilogramë mish që s’ishte ruajtur në kushte adekuate
26 mijë e 22 kilogramë mish janë asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV),nën mbikëqyrjen e autoriteteve të kontrollit kufitar dhe Administratës Tatimore të Kosovvës.
Sipas njoftimit të AUV-it, kjo ngarkesë me mish ishte refuzuar më 23.07.2024 për shkak të mos-ruajtjes në kushte adekuate gjatë transportit.
“Në pamundësi të kthimit në vendin e origjinës operatori ekonomik ka paraqitur kërkesë për asgjësimin e mallit. Duke respektuar procedurat AUV pranon kërkesën për asgjësim” – thuhet në njoftim.
Ngarkesa e bllombuar është sjellë nga Porti i Durrësit në Prishtinë dhe është asgjësuar në deponinë e mbeturinave në Mirash të Obiliqit nga kompania e licencuar e mbeturinave.
Siç thotë AUV, asgjësimi është bërë duke respektuar kushtet për shkatërrim të mallrave në vend-lokacion të caktuar për mbeturina në prezencën e zyrtarëve.
Agjencia e Ushqimit ka ndarë edhe disa fotografi nga procesi.