‘Autostrada Hangar’ me tre ekspozita të hapura në Prizren

Tri ekspozita të artit bashkëkohor në ‘Autostradën Hangar’ po vazhdojnë të jenë të hapura në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Ekspozita e quajtur ‘Fushë Luledielli’, ekspozita me fotografi ‘Çka nëse një rrugëtim’, si dhe dy ekspozitat ‘Kur dielli të ikë ne do pikturojmë qiellin’ dhe ‘E vendosur për t’u ngritur’, do të jenë të hapura për qytetarët deri në muajin shtator.

Leutrim Fishekqiu thotë për KALLXO.com se janë të angazhuar në institucionalizimin e ‘Autostradës Hangar’ si institucion të artit bashkëkohor në Prizren sepse tashmë, sipas tij, është krijuar një hapësirë multifunksionale.

“Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe makineri të ndryshme, laborator teknologjik, hapësira ekspozite, pavijon të gjelbër, bibliotekë, bar dhe kuzhinë, hapësirë për bashkëpunim dhe ambiente të tjera do t`i plotësojë nevojat e komunitetit që operon në industrinë kreative, kulturore dhe më gjerë”- theksoi ai.

Sipas tij, dy studiot e saj ajo e ‘Dizajnit Industrial’ dhe ’Laboratori i Teknologjisë’ do të kenë ekspertë në fushat e tyre dhe do të ushtroj ndikim tek të rinjët për një kohë afatgjate për profesionet që lidhen me artin, teknologjinë dhe inovacionin.

“Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillimin e shkathtësive në: formësim, dizajnim prodhim të drurit, metalit tekstilit,; komunikim dhe media; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; punëtori për 3D modelim dhe 3D printim”- tha ai.

“Autostrada Hangar” hynë në kuadër të ‘Autostradës Binneale’ e cila u ndërtua mbi nevojën për më shumë shkëmbime kulturore në rajon dhe botë, është pikë lidhëse mes Ballkanit dhe Evropës.

Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Binneale funksionon në dy shpejtësi:

Autostrada Binneale që është Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor dhe e cila zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017 dhe Autostrada Hangar e cila u themelua në ish-bazën ushtarake te KFOR-it gjerman e cila ka për qëllim edukimin joformal të brezave të rinjë në frymën e artit bashkëkohor përmes të menduarit kritik në mënyrë që të bëhet programi i hapur për të gjithë.

Ekspozita “Fushë Luledielli’, Foto:Leutrim Fishekqi
Ekspozita në hapësirën e brendshme
Ekspozita në hapësirën e jashtme