Hapësira e Autostradës Biennale. Foto: AB.

Autostrada Biennale prezanton hapësirën për edukim dhe prodhim

Autostrada Biennale, nëpërmes një komunikate për media, ka shpjeguar se funksionon në dy forma: Njëra është ekspozita fizike që mbahet çdo dy vjet në hapësirën publike, dhe tjetra, krijimi i një hapësire për punëtori për edukim dhe prodhim, tek ish-baza ushtarake, tani Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

Projekti është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.

“Ky është një proces që ne dëshirojmë ta hapim për publikun, duke e bërë prodhimin e artit një formë të të mësuarit. Hapësira jonë e re e edukimit dhe prodhimit, me sipërfaqe rreth 550 m², do të përdoret për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të krijimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Prizrenit dhe Kosovës”, thuhen në njoftimin e Autostradës Biennale.

Po sipas komunikatës, përmes një procesi të edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i Autostradës Biennale është të zhvilloj modele të reja të prodhimit kulturor, që do të inkurajojnë brezin e ri të bëhet pjesë e procesit të ndërtimit dhe instalimit të veprave artistike, si dhe të të menduarit kritik përmes artit.

“Shpresojmë që një model i tillë të sjellë vlera të jetesës së qëndrueshme, veçanërisht në një kohë depresioni socio-ekonomik. Kjo hapësirë e projektit synon të gjeneroj bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip. Hapësira me dy studiot e saj, Atele dhe Laborator i Teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të punësoje ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për krijimin e shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit dhe metalit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim”, thuhet në komunikatën e Autostradës Biennale.

Përmes një hapësire të tillë edukimi, thuhet më tej në komunikatë, shpresohet të përforcohet roli i Autostrada Biennale dhe artit bashkëkohor si infrastrukturë e butë në Kosovë, duke mbështetur komunitetin si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë.

Hapësira e Autostradës Biennale. Foto: AB
Hapësira e Autostradës Biennale. Foto: AB
Hapësira e Autostradës Biennale. Foto: AB