Lajm i Fundit, Coronavirus

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës jep sqarime për testin për COVID-19 që kushtoi 200 euro

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur se janë duke monitoruar çmimet e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e testimeve për virusin COVID-19.

“Që kur kemi filluar procesin e monitorimit, AKK ka kërkuar dhe grumbulluar të dhëna të detajuara nga institucionet shtetërore dhe laboratorët e licencuar, duke përfshirë çmimin e importit të materialit, çmimin e ofrimit të shërbimit dhe të dhëna të tjera. Në këtë rast, dëshirojmë të theksojmë se AKK ka gëzuar bashkëpunim të mirë me institucionet përgjegjëse si dhe laboratorët”, ka thënë AKK në një njoftim për media.

AKK thotë se nga informatat e grumbulluara, aktualisht janë gjithsej 119 laboratorë të licencuar për ofrimin e testimeve serologjike si dhe tre laboratorë të licencuar për ofrimin e testeve molekulare PCR.

Sipas tyre, në bazë të monitorimit deri më tani ekziston një treg i liberalizuar.

“Aktualisht dy nga laboratorët për testimet molekulare PCR janë duke operuar, kurse operatori tjetër është në përgatitje dhe brenda një kohë të shkurtër do të fillojë së ofruari këtë shërbim. Kjo nënkupton që për kryerjen e të dy testeve, tashmë ekziston një treg i liberalizuar, ku qytetarët mund të zgjedhin operatorin më të përshtatshëm për ofrimin e shërbimit”, është thënë në njoftim.

“Çmimet e këtyre shërbimeve janë transparente dhe variojnë për testet serologjike nga 15 deri në 40 Euro, kurse për molekulare nga 65 Euro. Pra, Autoriteti i Konkurrencës në përcaktimin e tregut të produktit ka konstatuar se ka zëvendësueshmëri të produktit apo shërbimit”, është thënë më tej.

Autoriteti i Konkurrencës po ashtu ka dhënë sqarime edhe për çmimin prej 200 eurosh për një testim për COVID-19 në njërin nga laboratorët e licencuar.

“Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se AKK ka ndjekur me interes të shtuar edhe debatin e ngritur në opinion publik lidhur me çmimin prej 200 eurosh për testin PCR të ofruar nga një prej laboratorëve të licencuar. Sapo jemi njoftuar nga mediat për këtë, ne kemi kërkuar informata dhe dokumentacion shtesë nga laboratori në fjalë dhe kemi kuptuar se bëhet fjalë për testimin rapid molekular Assay Method”, thotë AKK.

Sipas tyre, kjo është formë e avancuar e testimit molekular RT-PCR, i cili jep rezultatin e njëjtë, vlerësimin e njëjtë dhe karakteristikat e njëjta me testimin molekular RT-PCR, por që e veçanta e këtij testimi është dhënia e rezultatit në afat më të shkurtër, për më pak se 2 orë.

“Gjithsesi, duhet thënë se në të njëjtin laborator, qytetarët kanë mundur të zgjedhin testin RT-PCR, i cili detekton virusin brenda një kohë më të gjatë, por që kushton 65 Euro. Në fakt, nga analizimi i të dhënave, konstatojmë se në laboratorin në fjalë 99.7 për qind e testimeve PCR janë kryer me metodën RT-PCR (që kushton 65 euro) kurse pjesa tjetër me metodën e testimit rapid molekular -Assay Method, pra vetëm 4 teste në shumë prej 200 euro apo (0.3%)”, përfundon njoftimi.