Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës bën thirrje te gastronomia që të mos i rrisin çmimet

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka bërë thirrje te lokalet e gastronomisë që të mos i rritin çmimet ndryshe do të iniciojë procedura hetimore nga AKK.

Sipas Prestreshit, disa lokale të gastronomisë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngritin çmimet e kafeve dhe produkteve tjera.

Sipas tij, kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar.

“Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infeksionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njëjtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkëarisht me marrëveshje t’i ngritinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera. Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicioj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyre veprimeve. Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomëve”, ka shkruar Prestreshi në llogarinë e tij në Facebook.