Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi Foto: Facebook

Autoriteti i Konkurrencës reagon pas krijimit të monopolit për shënjimin e naftës

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka reaguar pas krijimit të monopolit për shënjimin\markimin e naftës .

Prestreshi për KALLXO.com ka thënë që kontrata 5-vjeçare të cilën e ka fituar kompania “SIPCA SA”, do të analizohet nëse bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Para 2 dite ministrja Rozeta Hajdari ka shfuqizuar disa nene të këtij udhëzimi administrativ, por jo nenin e kontestuar 56, i cili nen ka krijuar një monopol, e që qenka nënshkruar kontrata 5-vjeçare”, tha ai.

“Gjatë javës së ardhshme do të kontaktojmë me zyrtarët e Ministrisë së Ndërmarresisë dhe Tregtisë, për ta parë nga afër nëse kjo kontratë ka dispozita të cilat bien ndesh me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, e nëse konstatohet një gjë e tillë, do t’i rekomandojmë Ministrisë për shfuqizim të kontratës”, shtoi ai.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka konfirmuar monopolin e krijuar nga ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo Ministri ka thënë se kontrata për shënjim të markës është nënshkruar për një periudhë pesëvjeçare.

“Ish-ministri Krasniqi ka nxjerrë vendim për të emëruar një trupë për shënjimin e karburanteve të naftës. Ish-ministri gjithashtu ka lidhur kontratë me trupën për shënjimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Kompania që do të bëjë shënjimin/markimin e naftës për 5 vitet e ardhshme do të jetë “SIPCA SA”.

Ministria ka treguar se kosto për shënjim/markim të 1,000 litrave naftë do të jetë 8,35 euro (pa TVSh), kurse me TVSH çmimi arrin në 9.8 euro.Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se në vitin 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

Në bazë të çmimit që është nënshkruar kontrata dhe vlerës së përafërt të importit del se të hyrat e kompanisë do të jenë rreth 5.1 milionë euro. Kurse, nëse e marrim si kosto që do t’i kushtojë bizneseve/qytetarëve, pra duke i shtuar TVSH-në, atëherë do të kemi një kosto prej 6 milionë euro me TVSH.

Secila litër e naftës do të shtrenjtohet për rreth 1 cent, e këto mjete do të sigurojnë të hyra prej 5 deri në 6 milionë euro për kompaninë që do ta ketë monopolin.

Udhëzimi administrativ 09/2020 që ka paraparë shënjimin e naftës thotë se koston e shënjimit do ta bartin bizneset.

Konfirmohet monopoli në shënjim të naftës: 6 milionë euro në vit