Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Autoriteti i Konkurrencës reagon pas krijimit të monopolit në tregun e naftës

Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës ka reaguar pas lajmit se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri, sipas të cilit do të kontaktohet vetëm një operator i vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se do të shikojnë nëse ai udhëzim administrativ bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Autoriteti i Konkurrencës do ta analizojë nëse ai udhëzim administrativ bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe politikat e konkurrencës”, ka thënë ai.

Prestreshi ka thënë se krijimi i monopoleve është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kjo politikë ekonomike e zbatuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për t’i monopolizuar tregjet e caktuara, përkon me një politikë recidiviste, të një ekonomie të planifikuar, e që haptas, nëse vërtetohet si e tillë, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që është ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë. Sot kam kam autorizuar sekretariatin e AKK-së, që urgjentisht të filloj procedurën e hetimit paraprak”, ka thënë Prestreshi.

Prestreshi ka thënë se do t’i rekomandojnë zyrës së kryeministrit korrigjimin e këtij udhëzimi, nëse gjejnë se i njëjti bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Ne mundemi, vetëm ti rekomandojmë kryeministrit apo ministrit që ta korrigjoj udhëzimin administrativ, ndërsa nëse nënshkruhet kontrata atëherë merremi direkt me kompaninë nëse është duke abuzuar me pozitën dominuese”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka raporuar se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Ky akt nën-ligjor është nxjerrë nga ministri Vesel Krasniqi në nëntor të vitit 2020 dhe përmes tij është paraparë që të bëhet shënjimi i karburanteve të lëngëta përmes të cilit vërtetohet që karburantet janë verifikuar në aspektin e cilësisë dhe kanë përmbushur obligimet doganore dhe ato të akcizës. Nxjerrja e këtij udhëzimi është bërë përkundër faktit që në Ligjin për Naftës nuk është paraparë fare shënjimi. Shënjimi është paraparë vetëm në Kodin Doganor.

 

Ministria e NISMA-s krijon monopol të ri në tregun e naftës