Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Autoriteti i Konkurrencës pritet të nisë hetime për KEDS-in dhe KESCO-n

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nesër pritet edhe zyrtarisht të fillojë procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO, të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike.

Fillimi i procedurës hetimore bëhet me vendim të Autoritetit, ndërsa kjo i mundëson disa instrumente shtesë për zhvillim të hetimeve dhe grumbullim të të dhënave.

KALLXO.com mëson se këto hetime nisin meqë ka përfunduar faza e shqyrtimit paraprak të kësaj lënde.

Pas shqyrtimit paraprak, dyshimet e Autoritetit të Konkurrencës janë se këto ndërmarrje kanë shkelur nenet 4 dhe 11 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Dyshohet se këto ndërmarrje kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar dhe kanë abuzuar me pozitën dominuese”, ka thënë një burim për KALLXO.com.

Burimet thonë se një prej pikave të hetimeve janë edhe dyshimet për kushtëzime që u janë bërë investitorëve të rinj me rastin e kyçjeve në rrjetin e KEDS-it.

Gjatë ditës, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kishte paralajmëruar se nesër do të mbahet një konferencë për media.

“Ju njoftojmë se nesër, 4 dhjetor 2020, duke filluar nga ora 11.15, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të mbajë konferencë për media lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike”, ka shkruar Prestreshi.

KEDS-i është operatori i vetëm i shpërndarjes së energjisë elektrike. Ky operator është përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të shpërndarjes dhe menaxhimin e gjeneratorëve të kyçur në sistemin e shpërndarjes.

Kurse, KESCO është furnizues që ka licencë për furnizim me energji elektrike. KESCO aktualisht ka edhe obligimin për të furnizuar konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal dhe obligimin e furnizuesit të mundësisë së fundit.

Të dy ndërmarrjet janë privatizuar në vitin 2013 nga konzorciumi “Calik & Limak” për 26.3 milionë euro.