Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi Foto: Facebook

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron masa ligjore për bizneset që ngritin çmimet

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, përmes një publikimi në Facebook ka paralajmëruar masa ligjore për bizneset që ngritin çmimet në këtë kohë pandemie.

Prestreshi ka shkruar se çdo abuzim me çmime, çdo kufizim i shitjes së produkteve, apo edhe çdo praktikë tjetër që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës do të dënohet.

Ai po ashtu ka thënë se AKK ka pranuar shumë ankesa të llojeve të ndryshme.

Publikimi i plotë i Prestreshit:

Kemi zhvilluar takime intenzive me prodhuesit dhe importuesit e mëdhenjë të produkteve bazë ushqimore, gjithashtu edhe me ndërmarrësit që merren me produkte farmaceutike, shto aty edhe me kompanitë që merren me shitjen e biletave të aeroplanëve.

Autoriteti u’a ka bërë me dije ndërmarrësve se çdo abuzim me çmime, çdo kufizim i shitjes se produkteve, apo edhe çdo praktikë tjetër që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, do të përballën me shtetin ligjore dhe të drejtë.

Tani në adresën tonë të AKK-së kanë ardhur ankesa të llojeve të ndryshme. Për këtë u’a bëjë me dije të gjithëve ashtu siç ju bashkëpunoni me kolegët e juaj në treg, ashtu bashkëpunon edhe AKK me kolegët e vet të shtetit.

I tërë aparati shtetërorë është në krye të detyrave të veta, dhe çdo ankesë e qytetarëve tanë është filtruar dhe adresuar në dekasterët përkatës. Nuk ka pardon në këtë situatë të vështirë, po veprohet dhe do të veprohet kundrejt abuzuesve.

E kemi thënë dhe prap po e themi: Gjurmët mbesin, shteti vepron. Le te shërbej ky slogan për të gjithë!