Foto: Kallxo.com
Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron “gjoba të larta” për bizneset që ngrisin çmimet
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me masat që do merren ndaj ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe farmaceutike gjatë këtyre ditëve.
“Autoriteti do dënojë çfarëdo shkelje. Nga ajo çfarë kemi vërejtur nga situata në terren dhe çfarë kemi parë në media kemi parë një fluks të njerëzve në dyqane, prandaj ne duhet të sigurohemi se tregtarët nuk do përfitojnë nga qytetarët, rrjedhimisht nga sot Autoriteti ka filluar shqyrtimin e hetimit paraprak për ushqimet bazike dhe farmaceutike. Ekipet tona do jenë të mobilizuara, gjatë kësaj fazë ne grumbullojmë të dhëna nga ATK dhe Dogana para se të merret vendimi për fillimin e procedurave hetimore”, u shpreh Prestreshi.
Ai bëri të ditur se për momentin kanë 15 ekipe në terren të cilët do grumbullojnë të dhënat dhe më pas do të dilet me vlerësim një nëse ka shkelje nga tregtarët.
Tutje Prestreshi shtoi se një rast i tillë mund të marrë kohë për gjykim deri në 10 muaj, por në këtë rast ai tha se do të mundohen të veprojnë sa më shpejtë.
“Autoriteti i ka gjobat më të larta nga gjitha institucionet. E kemi 10 përqind të qarkullimit vjetor të ndërmarrjes. Nëse një ndërmarrje ka qarkullim vjetor 1 milion euro, dënimi do ishte 100,000 mijë euro”, tha Prestreshi.