Autoriteti i Konkurrencës nesër del me vendim mbi dyshimet për manipulime me çmime të naftës

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka njoftuar se nesër do të dalë me vendim në lidhje me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës.

“Ju njoftojmë se të premten (08.05.2020), në orën 10, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta shpalosë vendimin përfundimtar lidhur me rastin që ka të bëjë me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Në muajin nëntor të vitit 2019, Autoriteti i Konkurrencës kishte gjetur që naftëtarët kanë përfituar në kurriz të qytetarëve në fund të vitit 2018. Ato i kanë rritur fitimet deri në 135%, apo njëmbëdhjetë herë më shumë se sa në muajt paraprakë.

Kështu ka gjetur Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës gjatë hetimit të 14 kompanive që merren me shitjen e naftës.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt NËNTOR DHE DHJETOR TË VITIT 2018”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni të konkurrencës në fund të muajit nëntor të vitit 2019.

Fitimit nga shitja e naftës kishte shkuar deri në 124%.

“Kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%”, thuhej tutje në njoftimin e AKK-së në fund të muajit nëntor 2019.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës.

“Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%”, kishte nënvizuar ky institucion.

Këto të dhëna nuk kanë qenë përfundimtare pasi Autoriteti i Konkurrencës ka pritur paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët.

KALLXO.com në fund të vitit 2018 kishte raportuar në lidhje me dyshimet për fiksimin e çmimit të naftës.

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kishin rënë për 40 për qind nga fillimi i muajit tetor 2018, por kjo nuk ishte reflektuar në tregun e Kosovës.

Ulja e ngadalshme e çmimit të naftës e kishte alarmuar Autoritetin e Konkurrencës, i cili dyshoi për marrëveshje në mes të naftëtarëve për mbajtjen e çmimeve në nivel të lartë.