Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Autoriteti i Konkurrencës: Me vendimin për Telekomin, qeveria krijoi monopol

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar ndaj një vendimi të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar si shkelje të ligjit dhe krijim i monopolit.

Reagimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ka të bëjë në lidhje me vendimin e Qeverisë në për të përjashtuar nga aktiviteti i prokurimit shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore.

“Me këtë vendim Qeveria e Kosovës i ka përjashtuar në tërësi ofertat që mund t’i ofrojnë ndërmarrjet për shërbime telekomunikuese, duke i përjashtuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe duke e bërë monopol natyror, “Telekomin e Kosovës””, thuhet në reagimin e AKK-së.

AKK ka cituar nenet e Kushtetutës së Kosovës ku thuhet se ekonomia e tregut në Kosovës është e konkurrencës së lirë dhe se institucionet e vendit e posaçërisht Qveria është e obliguar t’i zbatojë dispozitat kushtetuese.

AKK përmes këtij reagimi thotë se ata janë të obliguar sipas ligjit që t’i marrin të gjitha format për të kufizuar keqpërdorimet e konkurrencës

“Për më shumë, organet shtetërore në të gjitha nivelet në vend të njoftohen se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është i obliguar sipas ligjit, që të jetë aktiv për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet nëse këto veprime kanë efekte në treg”, thuhet në mes tjerash në reagimin e Autoritetit të Konkurrencës.