Autoriteti i Konkurrencës heton katër operatorë kabllorë që dyshohet se bënë marrëveshje për çmime e ndarje të tregut

Kompanitë e telekomunikacionit “Artmotion”, “Kujtesa”, “Telkos” dhe “ISP Broadcast” po hetohen nga Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës nën dyshimin se janë marrë vesh për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregut në këtë sektor.

“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se me datë 08.08.2024 ka nisur një hetim të thelluar lidhur me dyshimin e bazuar për arritjen e marrëveshjes së ndaluar/kartel për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregjeve në sektorin e telekomunikacioneve nga disa operatorë me ndikim në treg. Konkluzioni për hetim të thelluar përfshin kompanitë: Artmotion sh.p.k; Kujtesa Net sh.p.k; Telkos l.l.c; dhe ISP Broadcast sh.p.k.” – thuhet në komunikatën për media të datës 12.08.2024.

“Gjatë shqyrtimit janë grumbulluar dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se këto kompani kanë krijuar një sistem për të fiksuar çmimet, për të ndarë tregun dhe për të kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët” – vazhdon njoftimi.

Këto veprime, siç thotë Autoriteti, jo vetëm që rrisin çmimet për konsumatorët, por gjithashtu krijojnë një mjedis të padrejtë për bizneset e tjera që operojnë në të njëjtin sektor, duke zvogëluar konkurrencën dhe duke shtrembëruar tregun.

“Ky hetim synon të sigurojë se çdo veprim i tillë që dëmton konkurrencën do të trajtohet sipas ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Autoriteti i Konkurrencës do të përdorë të gjitha mjetet e tij ligjore dhe hetimore për të siguruar që tregu i telekomunikimeve të funksionojë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme”  – thuhet në njoftim.

Këtë hetim, Autoriteti i Konkurrencës thotë se e ka bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe në mandatin e tij.