Autoriteti i Konkurrencës dhe Administrata Tatimore me marrëveshje për shkëmbimin e informatave

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi përmës të cilit janë zotuar që ta thellojnë bashkëpunimin në disa aspekte të rëndësishme që lidhen me punën dhe mandatin e të dy institucioneve.

“Kjo marrëveshje mundëson një spektër të gjerë të bashkëpunimit, duke përfshirë shkëmbimin e informacioneve lidhur trajtimin e rasteve përkatëse me interes të përbashkët, takime dhe konsultime në nivel të ekspertëve të të dy institucioneve, shkëmbimin e përvojave në fushën e hetimeve dhe aktivitete të tjera të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, tha pas nënshkrimit të memorandumit se ata janë vazhdimisht duke takuar institucione dhe akterë nga sektorë të ndryshëm për të avokuar për politikat e konkurrencës.

“Në këtë kontekst, marrëveshjet sikurse kjo e sotmja përbëjnë mundësi shtesë për AKK-në për zbatimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe politikave të konkurrencës në përgjithësi”, tha ai.

Ndërsa drejtori i ATK-së, Ekrem Hysenaj, tha se e ka mirëpritur nënshkrimin e këtij memorandumi, duke shtuar se bashkëpunimi mes të dy palëve është mjaft i rëndësishëm.

“Ky Memorandum do t’i shërbejë edhe ATK-së në të ardhmen. Ne mbesim të përkushtuar që të kemi bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës për çështje që janë me interes për institucionet tona”, tha Hysenaj

Ndër tjerash, ky memorandum do të trajtojë edhe ato raste kur një ndërmarrje nuk e kryen pagesën e masës së shqiptuar ndëshkuese në afatin e paraparë, AKK e njofton ATK-në në zonën në të cilën banon respektivisht selinë e personit të dënuar, për ta paguar shumën e masës ndëshkuese të shqiptuar, sipas dispozitave për pagesën e tatimit.