Autoriteti i Konkurrencës: Çmimi i çimentos ka ngritje në gjithë Ballkanin

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në një konferencë për media ka njoftuar lidhur me tregun e sigurimeve TPL të veturave, tregun e çimentos dhe analizimin e tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë pandemisë COVID-19.

Lidhur me çmimin e çimentos, Ahmet Krasniqi nga AKK, tha se kanë marrë informata për ngritje të çmimit deri në 20%, ku sipas tij është duke u abuzuar me këtë çmim i cili ka ngritje zakonisht vetëm në sezonin kur ka më shumë ndërtime.

“AKK ka marrë një shqetësim nga ndërtuesit se tregu i çimentos ka ngritur çmimin deri në 20 % të çimentos së prodhuar në Kosovë dhe të importuar nga vendet tjera.AKK ka marr për detyrë parim kryesor për ta hetuar këtë, megjithëse një çmim i ngritur mund të ndodhë nëpër sezone kur është volumi i ndërtimit si në pranverë, por ky çmim është konstant dhe si duket ekziston një keqpërdorim i një pozite dominuese,” ka thënë Krasniqi

Tutje Krasniqi tha se selia kryesore që dirigjon këto çmime është në Greqi dhe shtoi se në të ardhmen duhet të ketë konsultime me vende të rajonit lidhur me këto ngritje të çmimeve.

“ Vlen të theksohet se tregu relevant për çimenton nuk është vetëm Kosova. Ky është një grup, ‘Titan’ grupi e ka selinë në Greqi dhe ata dirigjojnë me çmime të çimentos dhe si duket kjo ngritje është në gjithë Ballkanin. E jona është që në të ardhmen të merremi vesh me autoritetet e Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe në Greqi të konsultohemi për ngritje të çmimeve,” ka shtuar tutje Krasniqi.

Krasniqi ka ftuar të gjithë ata që kanë njohuri për këtë çështje të bashkëpunojnë me AKK-në për mbledhje të informatave në mënyrë që të merret një vendim.