Autoritetet serbe arrestojnë një shtetas të Kosovës

Një shtetas i Kosovës, i cili ishte duke u kthyer nga Gjermania, është arrestuar sot në mëngjes nga Policia serbe në kufirin Serbi-Hungari.

Kështu ka raportuar në KALLXO.com nipi i të arrestuarit, Arlind Beqiraj.

Sipas Beqirajt, Policia serbe po pretendon se i arrestuari ka një vepër penale të vitit 2010.

“Është ndalu kinse e ka një vepër penale në vitin 2010”, ka thënë Beqiraj për KALLXO.com.

Tutje ai ka treguar se familja e të arrestuarit kanë tentuar të kontaktojnë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtët nuk ia kanë hapur telefonin.

“Kemi tentu me telefonu me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk e kanë hapur telefonin”, ka thënë Beqiraj.

Sipas tij, familjari i tyre është në paraburgim.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë me të cilën ishte duke udhëtuar i arrestuari.

Pronari i kompanisë “Try Tours”, Shaqë Fetaj, ka thënë se pasagjerin e kanë ndaluar lidhur me një pengesë ligjore që e ka pasur para 12 viteve.

“E kanë ndalu lidhur me një rast të vitit 2010. Diçka tjetër nuk na kanë thanë, ata i kanë procedurat e veta”, ka thënë Fetaj.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me rastin mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij raporti nuk kanë kthyer përgjigje.