
Foto ilustrim: REL
Autoritetet serbe: 31.000 persona në mirëpritjen e studentëve në Beograd
Të shtunën do të protestohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Protesta në Beograd është organizuar pas marsheve masive që janë organizuar nga studentët në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.
Mijëra studentë kanë mbërritur në Beograd në mbrëmjen e së premtes, pas një rruge të gjatë që kanë bërë prej rajoneve të ndryshme të Serbisë.
Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.
09:45
Studentët bëjnë thirrje për protestë paqësore
Studentët kanë bërë thirrje në paraditen e së shtunës për protestë paqësore.
Ata u kanë kërkuar qytetarëve që do të marrin pjesë në këtë organizim që të mos përfshihen në konflikte fizike apo verbale.
“Ju lutem ndiqni udhëzimet e kujdestarëve tanë. Mos dilni jashtë zonës së përcaktuar për tubim dhe keni kujdes ndaj punimeve nëpër rrugë”, është thënë në një postim të studentëve në Instagram.
Në orët e hershme të mëngjesit ata do të mblidhen në pesë pjesë të ndryshme në Beogradit dhe më pas do të nisen në drejtim të Kuvendit për të mbajtur organizimin kryesor.
Protesta pritet të nisë zyrtarisht në orën 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të bëhet leximi i kërkesave të tyre.
09:28
Ministria e Brendshme e Serbisë: 31.000 pjesëmarrës në mirëpritjen e studentëve në Beograd
Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për prishje të rendit publik gjatë tubimit të mijëra njerëzve për t’i mirëpritur studentët në Beograd në mbrëmjen e së premtes.
Autoritetet kanë thënë se një numër traktorësh janë dëmtuar afër Parkut të Pionierit.
“Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31.000, sipas vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha, dhe Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore”, është thënë në deklaratë.
Pjesëtarë të kësaj ministrie kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike./REL