Cetinje, Mali i Zi, Foto: VOA

Autoritetet malazeze japin detaje për tragjedinë në Cetinje

Mali i Zi shpalli tre ditë zie kombëtare të shtunën, një ditë pasi 10 persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë kur një person armatosur 34-vjeçar hapi zjarr. Nga hetimet paraprake policia thotë se autori i sulmit kohët e fundit kishte shfaqur një “ndryshim në sjellje”.

Vuk Boriloviq përdori një armë gjuetie për të qëlluar fillimisht për vdekje dy fëmijë, 8 dhe 11 vjeç, dhe nënën e tyre. Kjo e fundit jetonte si qiramarrëse në shtëpinë e tij në qytetin e Cetinjes.

Më pas 34-vjeçari doli në rrugë dhe qëlloi pa shkak ndaj 13 persona të tjerë. Shtatë prej tyre humbën jetën. Personi i armatosur u qëllua për vdekje më vonë pas një përplasje me policinë.

Autoritetet ende vijojnë hetimet, ndërsa njerëzit e afërt me sulmuesin thanë se ai kohët e fundit kishte filluar të shfaqte një “ndryshim në sjellje, por ata nuk kishin parë shenja se ai mund të kryente një krim të tillë”.

Sipas tyre 34-vjeçari kishte lënë dhe një takim me një specialist të shëndetit mendor.

Në deklaratën e policisë thuhet se oficerët e zbatimit të ligjit të dërguar në vendngjarje u sulmuan nga 34-vjeçari dhe me pas u kundërpërgjigjën duke qëlluar ndaj tij të paktën 20 herë dhe duke e plagosur rëndë.

“Është ende duke u hetuar nëse ai vdiq si rezultat i plagosjes së rëndë (nga policia) apo nga plumbat që dolën nga arma e një banori lokal”, thuhet në deklaratën e policisë.

Prokurorja që drejton hetimin, Andrijana Nastic, u tha gazetarëve të premten se personi i armatosur u vra nga një kalimtar dhe se një oficer policie ishte mes të plagosurve.

Dëshmitarët e sulmit nga tronditja e madhe ende nuk mund ta kuptojnë atë që kanë ndodhur. Ata flasin për skena kaotike dhe tmerrit teksa personi i armatosur qëllonte drej njerëzve të pafajshëm që po bënin punët e tyre të përditshme.

“Dëgjoje gra duke qarë, njerëz që bërtisnin në panik se një burrë ka një armë dhe qëllon pa dallim. Kam dëgjuar të shtëna armësh,” thotë dëshmitarja Milena Stanojevic.

Cetinja, një qytet me 17 mijë banorë, është 36 kilometra në perëndim të Podogricës, kryeqyteti i Malit të Zi./VOA