Autorët e vrasjes në Lipjan ende në arrati

Pak minuta para mesnatës, një person është vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit dhe kapjes së autorëve të këtij akti.

Sipas policisë, pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri tre viktima dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda i është përgjigjur vendit të ngjarjes me njësitë e tjera relevante.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri mes disa personash, janë lënduar tre persona, ku njëri prej tyre s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Në vendin e ngjarjes, si prova materiale janë sekuestruar, tri gëzhoja, një predhë dhe një fragment metali.

Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduskion, ndërsa rasti është iniciuar “Vrasje e rëndë”.