Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla
Automjetet e QKMF-së në Dragash pa regjistrim pothuajse që një vit
Disa nga automjetet e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Dragashit nuk janë të regjistruara dhe aktualisht janë duke funksionuar pa regjistrim dhe sigurim.
KALLXO.com mëson se janë afërsisht gjashtë automjete të tilla në QKMF e Dragashit.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, Ramadan Jashari, dje është dënuar nga policia për shkak të mos regjistrimit të automjetit, të cilin ka qenë duke e drejtuar.
Sipas informacioneve të KALLXO.com automjeti, të cilin Jashari ka qenë duke e drejtuar është në pronësi të QKMF dhe është njëra ndër automjetet që nuk kanë regjistrim dhe as sigurim. KALLXO.com mëson se drejtori i QKMF e drejton këtë automjet gjatë gjithë kohës.
KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e QKMF dhe i njëjti e ka konfirmuar se është dënuar nga policia gjatë ditës së djeshme.
Sipas Jasharit, ai nuk ka pasur informacione se ky regjistrim nuk është kryer nga zyrtarët përgjegjës të QKMF.
“Automjeti ka qenë i siguruar, mirëpo për shkak të pandemisë, po jam dënuar dhe nuk kam pasur informacione se nuk ka pasur regjistrim, por është e siguruar”, ka thënë Jashari.
Zyrtari i Financave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Arben Skënderi, ka treguar për KALLXO.com mbi arsyet që ai pretendon se kanë ndikuar që automjetet e QKMF të mos regjistrohen.
Sipas tij, deri të mos-regjistrimi i automjeteve kanë çuar arsyet se aktualisht ekzistojnë disa probleme me Administratën Tatimore të Kosovës dhe regjistrimit të QKMF-së, e cila më parë ka qenë e regjistruar si Shtëpi e Shëndetit.
“Po kaloj te arsyet sepse nuk po i shoh të tjerat shumë me rëndësi. Arsyeja është që ne kemi qenë të regjistruar si Shtëpi e Shëndetit i QKMF dhe kur është bërë ndërrimi prej Shtëpisë së Shëndetit në QKMF në Qendrën e Regjistrimit nuk po del emri i QKMF, por i Shtëpisë së Shëndetit. Tash jemi në procedurë me ATK për të na dhënë një formë të regjistrimit të rregullt. Disa nga veturat janë të regjistruara dhe kanë mbetur nja tri a katër pa regjistrim për shkak të problemit dhe për shkak të problemit të buxhetit derisa të alokohen mjetet”, ka dhënë arsyetime Skënderi.
“I kanë pasur, por tash nuk kanë sigurim sepse nuk janë të regjistruara”, ka thënë më tej Skënderi.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shëndetësisë në këtë komunë, Behar Brenoli, por i njëjti është deklaruar se nuk ka informacione rreth kësaj çështje.
“Jo, unë nuk kam informacione për këtë çështje”, ka thënë Brenoli.