Ilustrim

Autobusi përplas turmën para shkollës në Kinë, 11 të vdekur

Një autobus shkolle është përplasur me një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 11 persona, përfshirë pesë nxënës, në krahinën jugore kineze Shandong, citon BBC-ja mediat lokale.

Shumë persona të tjerë janë lënduar, përfshirë njërin prej tyre që është në gjendje të rëndë shëndetësore. Autobusi duket se është përplasur në turmën e nxënësve dhe prindërve derisa po prisnin para portave të shkollës në qytetin Tai’an.

Ngasësi “ka humbur kontrollin” e mjetit transportues, raportojnë mediat kineze. Shoferi është arrestuar nga policia, e cila po heton shkakun e vërtetë të aksidentit. Nuk dihet nëse incidenti ishte i qëllimshëm.

“Deri tani, 11 persona kanë vdekur (përfshirë gjashtë prindër dhe pesë nxënës)”, kanë raportuar mediat kineze pas lajmit për përplasjen e autobusit në turmën e prindërve dhe nxënësve.

Dymbëdhjetë persona të tjerë janë në gjendje stabile.

Pamjet dhe xhirimet e incidentit po shpërndahen në mediat sociale, ku shihen prindërit dhe nxënësit të kurthuar poshtë autobusit. Aksidenti ka ndodhur vetëm pak ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor.

Aksidentet vdekjeprurëse në trafik janë të shpeshta në Kinë. Në korrik, policia njoftoi se një makinë u përplas me një turmë kalimtarësh në trotuar në qytetin Chnagsha, duke lënë tetë persona të vdekur dhe lënduar shumë të tjerë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com