Autobusi i Kosovës që nisi të digjej në Himarë, s’kishte asnjë udhëtar në bord

Një autobus me targa të Kosovës është përfshirë nga flakët në afërsi të fshatit Ilias të Himarës në Shqipëri. Ndërkohë që drejtuesi i autobusit ka vënë re flakë në motor është ndalur. Në kohën kur autobusi është përfshirë nga flakët, nuk kishte asnjë pasagjer në bord. Këtë e thonë edhe zyrtarët e kompanisë “Sharr Travel”, së cilës i takon autobusi i përfshirë nga flakët.

Për rastin janë njoftuar punonjësit e zjarrfikëseve të cilët kanë mundur të fikin zjarrin në motorin e mjetit. Shkaku i zjarrit në motor mësohet se ka qenë nxehja.

“Sot, në aksin rrugor Himarë-Sarandë, një autobus, me drejtues shtetasin A. L., 38 vjeç, në ecje, ka marr flakë, ku si pasojë ka vetëm deme materiale. Nga hetimet paraprake rezulton se mjeti ka marrë flakë si pasojë e një difekti teknik. Vijon puna me grupin hetimor për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.

Ndrysh, zyrtarët e kompanisë turistike të udhëtimeve, “Sharr Travel” kanë reaguar pas lajmeve se një autobus i kësaj kompanie është përfshirë nga zjarri në Himarë të Shqipërisë.

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i “Sharr Travel” ka thënë se autobusi i përfshirë nga flakët ishte nisur për në Jalë dhe Dhërmi, dhe se gjatë kësaj kohe në autobus nuk kishte pasur asnjë udhëtarë.

“Në autobusin e “Sharr Travel” që udhëtonte për Dhërmi dhe Jalë dhe jo Himarë, nuk kishte asnjë pasagjer, përpos shoferëve. Autobusi kishte zbritur udhëtarët në Dhërmi dhe vazhdonte drejtë parkingut në Jalë”, ka reaguar ai përmes një postimi i në llogarinë e tij në rrjetin social në facebook.

Kurtishaj ka shkruar se autobusi nuk ishte përfshirë i tëri nga flakët.

“Autobusi kishte pësuar një defekt teknik gjatë udhëtimit por i njëjti nuk është djeg apo përfshirë i tëri nga zjarri, siç raportuan disa medie”, ka shtuar ai.

Postimi i plotë i pronarit të “Sharr Travel”, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.