FOTO: APA/FRANZ NEUMAYR

Autobusi i aksidentuar në Austri, Ministria jep detaje për gjendjen e të lënduarëve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë të ditur se përmes ambasadës në Vjenë, është informuar mëngjesin e sotëm për një aksident trafiku të autobusit që po barte udhëtarë kosovarë drejt Austrisë.

Në njoftimin e tyre thuhet se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital”, thuhet në kumtesën e kësaj Ministrie.

Madje shtojnë se Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg, dhe do të dalë me një njoftim më të detajuar sapo të pranoj informatat zyrtare.

Sot, në orët e para të mëngjesit, një autobus që ishte nis nga Kosova drejt Gjermanisë u aksidentua në një autostradë pranë Eugendorfit në Austri.

Siç raportuan mediat vendase, në autobus gjendeshin rreth 25 persona, ndërsa 19 nga ta janë lënduar.

Në një prononcim të shkurtër për KALLXO.com, kompania “Armend Tours” kanë konfirmuar aksidentin ndërsa thanë se të gjithë personat që ishin në autobus janë mirë me shëndet.

“Shoferët janë mirë, pasagjerët janë mirë, dy prej tyre kanë qenë me lënde pak më shumë, e ka zënë këmbën keq por të gjithë janë mirë. Përfaqësues të kompanisë janë nis drejtë Austrisë në momentin që kanë dëgjuar për aksident, për të qenë afër, më shumë nuk dimë njëherë detaje”, thanë nga kompania “Armend Tours”.

Për aksidentin janë deklaruar edhe autoritetet në Austri.

Shkaqet e aksidentit ende janë të paqarta, tha zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber.

“Në autobus gjendeshin rreth 25 persona”, tha komandanti i policisë rajonale, Herman Gerstgraser.

Sipas tij, tre persona janë plagosur më rëndë dhe 16 të tjerë më lehtë. Të gjithë të lënduarit janë dërguar në spitalin shtetëror në Salzburg.

Wolfgruber tha se autobusi po udhëtonte nga Kosova për në Habnover.“Këta janë turistë që padyshim vijnë nga Kosova”, tha ai.

Pas aksidentit, autoritetet thanë se në vendin e ngjarjes kanë arritur vullnetarë, pjesëtarë të Kryqit të Kuq dhe të ndihmës së parë.