Foto-ilustrim

Autobusët ndërurbanë sot nuk kanë qarkulluar

Faza e dytë e lehtësimit të masave për parandalimin e pandemis ka filluar nga sot duke përfshirë edhe qarkullimin e trafikut urban dhe ndërurban në Kosovë, me leje të veçanta, por gjatë ditës së sotme në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë nuk ka udhëtuar asnjë autobus nga vendet e tjera për në Prishtinë dhe anasjelltas.

“Si duket në opinion ka pak paqartësi lidhur me këtë interpretim të këtij neni, besoj që është dashtë pak të interpretohet apo përmes mediave të tregohet çka nënkupton që të mos kemi paqartësi me këtë, te njerëzit që vijnë këtu në stacion për të marrë informacion, kërkojnë autobus”, ka thënë Luan Hoti-Kryeshef Ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve, për RTK.

Tutje Hoti thotë se nuk ka marrë asnjë informacion për arsyen e mos qarkulllimit të autobusëve ndërurbanë.

“Fatkeqësisht unë nuk kam marrë kurrfarë informacioni dhe besoj që është dashtë që Ministria e Transportit të japë një sqarim lidhur me situatën nga sot që njerëzit të mos jenë të çorientuar”, ka shtuar ai.