Autoambulancat, QKMF në Mitrovicë
Autoambulanca e aksidentuar pa sigurim, QKMF-ja në Mitrovicë thotë se nuk është në dijeni
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë ka thënë se nuk ishte në dijeni se një autoambulancë e tyre, e cila ishte aksidentuar në maj 2024, nuk kishte policë të sigurimit, edhe pse paratë për të ishin paguar.
KALLXO.com ka zbuluar se Komuna e Mitrovicës ka kontratë të nënshkruar për sigurimin e automjeteve zyrtare me një kompani private, në vlerë 45 mijë euro.
Sheremet Osmani, një qytetar nga Vushtrria, ishte aksidentuar në maj të vitit 2024. Makina e tij ishte goditur nga një autoambulancë, e cila është në pronësi të Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, fajtor për aksidentin ka qenë shoferi i autoambulancës, që ka hyrë në të kuqen në semafor.
Por kur qytetari Sheremet Osmani ishte paraqitur te kompania e sigurimeve për të vlerësuar dëmin dhe për të marrë kompensimin, kishte kuptuar se autoambulanca e QKMF-së në Mitrovicë, nuk ishte siguruar.
Për anulimin e policës nuk ishin njoftuar njerëzit të cilët ishin duke vozitur ambulancën. Drejtori i QKMF në Mitrovicë është njoftuar për këtë problem vetëm pasi ndodhi aksidenti.
Dibran Isufi, përgjegjës për automjete në QKMF-në e Mitrovicës, ka thënë se në librezën e veturës polica figuronte.
“Jo nuk jemi në dijeni. Ne e kemi regjistru, libreza është domethënë në autoambulancë. Ekziston është ajo aty. Kështu që për policë nuk jemi ne në dijeni. Sepse nuk mundesh ti me marrë policen në qoftë se nuk është kerri i regjistruar. E ajo ekziston libreza, mundemi me shku me vërtetu. Kështu që ne nuk jemi konë në dijeni që nuk ka policë” – ka thënë Isufi.
Komuna e Mitrovicës kishte paguar për sigurimin e një ambulance, sipas një kontrate që e kishte me kompaninë Pri-Sig. Kompania i kishte ofruar komunës një dëshmi se makina ishte siguruar, ndërsa në sistemin e regjistrimit të policave të sigurimit dokumenti ishte anuluar.
Si rrjedhojë, makina zyrtarisht ishte e pasiguruar ndërsa në raportet e komunës figuronte se ishte 100% e siguruar, sipas ligjit. Më e çuditshmja është se kompania mori paratë, lëshoi dokumentin, anuloi të njëjtin dhe nuk e njoftoj fare komunën.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani për KALLXO.com ka thënë se problem ka qenë te kompania private, e jo tek komuna.
Ai ka thënë se pasi që është njoftuar për rastin, e ka denoncuar në Policinë e Kosovës.
“Kjo çështje është shqetësuese, është problem që ka ndodhur te kompania, jo te komuna dhe te QKMF-ja. Ne e kemi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm se gjithçka nga ana jonë është kryer me rregull, po ashtu edhe pagesa për këtë faturë që e kemi kry pagesën për këtë fakturën e sigurimit. Mirëpo problemi dhe anomalia ka ndodhur te kompania, mbetet që organet përkatëse ta sqarojnë situatën a është gabim njerëzor a është gabim i qëllimshëm dhe gjithkush të përgjigjet në bazë të punës që e ka bo” – ka thënë Shabani.
Në kompaninë “Pri-sig” nuk kanë pranuar të flasin para kamerës mirëpo në një përgjigje me shkrim kanë thënë se anulimi ishte bërë për shkak të një gabimi teknik.
“Polica e sigurimit për të cilën e keni fjalën është anuluar për shkak të një gabimi teknik. Polica në fjalë është në fuqi dhe Kompania e Sigurimit e merr përgjegjësinë lidhur me dëmin. Këto janë gabime teknike që mund të ndodhin përgjatë punës së përditshme. Në secilin rast është ligji që e siguron policmbajtësin për kompenzimin e dëmit të shkaktuar” – kanë thënë nga kompania “Prisig” për KALLXO.com.