Kancelari austriak, Sebastian Kurz

Austria ndan një milion doza vaksinash për Ballkanin Perëndimor

Austria do të ndajë një milion doza të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë kancelari austriak Sebastian Kurz të premten.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një samiti të mbajtur me homologët e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Austria po ashtu ka ndarë 651,000 vaksina për këtë rajon përmes bllokut evropian.

“Përtej kësaj, ne po ashtu duam të bëjmë një kontribut bilateral si Republikë e Austrisë, andaj kemi vendosur, si qeveri, që të ndajmë një milion doza të vaksinave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurz në një konferencë për media pas samitit.

Kosova është përfaqësuar nga kryeministri Albin Kurti, Shqipëria nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabiq, Bosnja nga kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev dhe Mali i Zi nga kryeministri Zdravko Krivokapiq.

Në samit ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Dozat do të ndahen në periudhën nga gushti deri në fund të vitit, pa treguar se cila shtete do të përfitojnë të parat apo se si do të ndahen ato mes tyre.

Ai nuk ka treguar as llojin e vaksinës që do të ndahet për këtë rajon./REL