Austri: Pezullohet bashkimi familjar në Ligjin për Azilin

Së shpejti azilkërkuesit në Austri nuk do të kenë më të drejtë të tërheqin pjesëtarët e afërt të familjes. Kjo u vendos nga tri partitë e Koalicionit të ri qeverisës në Vjenë.

Qeveria në Austri, ashtu sikurse kishte deklaruar, ka vendosur të ndërpresë bashkimin e familjes për ata që kanë të drejtë azili në këtë vend. Kabineti Qeveritar në Vjenë ra dakord për këtë ndryshim në Ligjin e Azilit. Kjo masë sa më shpejt të jetë e mundur duhet të votohet në Këshillin Kombëtar, të miratohet në Parlament dhe do të jetë e përkohshme – bëhet e ditur nga Zyra e Kancelarit.

Kancelari Christian Stocker i partisë popullore konservatore (ÖVP) e argumentoi këtë hap, me tejkalimin e kapaciteteve pranuese të Austrisë, veçanërisht në Sektorin e Arsimit ka mbingarkesë. Në vitet 2023 dhe 2024, në kuadrin e bashkimit familjar në Austri, kanë hyrë gjithsej 18,000 persona, ndër ta 13,000 minorenë në moshë të detyrimit shkollor – tha Stocker. Në sfondin e këtyre shifrave është e kuptueshme, “që ne duhet të veprojmë konform përgjegjësisë sonë dhe të vendosim frenat për një periudhë të caktuar” – tha Kancelari. Austria ka rreth 9,2 milionë banorë.

Shkelje ndaj së drejtës europiane?

Kjo nismë është ligjërisht e diskutueshme. Kritikët konsiderojnë se ajo përbën shkelje ndaj së drejtës së azilit – sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Koalicioni i ri qeverisës në Austri i përbërë nga konservatorët (ÖVP), socialdemokratët (SPÖ) dhe liberalët (NEOS) i referohet klauzolës së emergjencës në legjislacionin e BE-së. Kjo klauzolë parashikon që në rast të kërcënimit të rendit publik dhe sigurisë së brendshme të një vendi anëtar nuk vlen më prioriteti i së drejtës europiane kundrejt Ligjit kombëtar të vendit anëtar.

Javën e kaluar ministri i brendshëm austriak, Gerhard Karner u angazhua në nivelin e BE-së për pezullimin e bashkimit familjar për azilkërkuesit. Në një Shkresë drejtuar Komisionit të BE-së ministri i ÖVP argumenton se Sektorët e Strehimit, Shëndetësisë dhe Arsimit në Austri janë të mbingarkuar. Ai iu referua kriminalitetit ndër të rinjtë.

Tani tha ministri i brendshëm edhe nëse prej rreth një viti numri i bashkimeve të familjes ka rënë ndjeshëm, edhe për shkak të kontrolleve dhe krahasimeve të ADN-së, kjo tendencë duhet siguruar në mënyrë të qëndrueshme. Në shkurt 2024, sipas të dhënave rreth 1000 persona u regjistruan si të afërm të familjeve të cilat kanë hyrë në vend; në shkurt 2025, shifra ishte vetëm 60.

Sekretari i Punëve të Brendshme, Jörg Leichtfried nga socialdemokratët bëri të qartë se qëllimi i përbashkët i Qeverisë austriake është që të ulet në zero migracioni i parregullt. Kjo nuk ndryshon asgjë, sa i përket së drejtës së azilit./DW