Australia planifikon kufizim të qasjes së fëmijëve në mediat sociale
Australia planifikon të përcaktojë një limit të moshës minimale për fëmijët, duke iu referuar shqetësimeve të rrjeteve sociale në shëndetin mendor dhe fizik të më të vegjëlve, raporton Reuters. Planet qeveritare menjëherë kanë shkaktuar reagime në mesin e avokatëve të të drejtave digjitale, të cilët paralajmërojnë se masa mund të nxitë aktivitet të rrezikshëm ilegal online.
Kryeministri australian, Antohony Albanese, dhe qeveria e tij e qendrës së majtë kanë paralajmëruar se do të krijojnë mekanizma për verifikim të moshës para se të miratojnë ligjet për moshë minimale në mediat sociale sivjet, raporton Reuters.
Albanese nuk ka specifikuar ndonjë prag moshe, por me gjasë do të jetë ndërmjet 14 dhe 16 vjeç.
“Dua t’i shoh fëmijët larg pajisjeve të tyre dhe të dalin në fusha vrapimi dhe pishina, si dhe në fusha tenisi”, ka deklaruar Albanese për ABC-në australiane.
“Ne duam që ata të kenë përvoja të përnjëmendta me njerëzit, sepse ne dimë se media sociale po shkakton dëm social”, ka shtuar ai.
Ligji do ta bënte Australinë një prej vendeve të para në botë që do të kufizonte moshën në mediat sociale. Përpjekjet e mëhershme, përfshirë ato të vendeve të Bashkimit Evropian, dështuan për shkak të ankesave për reduktimin e të drejtave digjitale të të miturve.
Përfaqësuesit e Meta-s, pronare e Facebookut dhe Instagramit,, që kanë një prag të vetë-imponuar moshe prej 13 vjeç, pronarët e YouTube dhe TikTokut end enukkanë dalë me ndonjë qëndrim.
Australia ka një prej popullsive me përdorim më të madh të internetit në botë, me katër në pesë australianë në vendin me 26 milionë banorë, që kanë qasje në mediat sociale.
Albanese ka folur për kufizimin e moshës pas një hetimi parlamentar për efektet e mediave sociale në shoqëri, ku nganjëherë janë dëgjuar dëshmi emocionale të ndikimit të mediave sociale në shëndetin mendor të tinejxherëve.
Por gjatë hetimit ka pasur edhe shqetësimi nëse ulja e kufizimit të moshës do të mund të sillte sukses, sepse është ngritur droja se mund të ketë nxitje të aktivitetit të mbuluar online të tinejxherëve.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com