Australia brenda muajit do të prezantojë ligjin që ua ndalon fëmijëve mediat sociale

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka thënë të premten (08.11.2024) se qeveria e tij do ta dorëzojë në parlament legjislacionin për ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, raporton Reuters.

Australia po krijon një sistem të verifikimit të moshës për të ndihmuar bllokimin e qasjes së fëmijëve në platformat e mediave sociale, në kuadër të një morie masash që përfshijnë kontrolle më të ashpra të imponuara ndonjëherë nga ndonjë shtet deri më sot.

Australia planifikon të përcaktojë një limit të moshës minimale për fëmijët, duke iu referuar shqetësimeve të rrjeteve sociale në shëndetin mendor dhe fizik të më të vegjëlve, raporton Reuters. Planet qeveritare menjëherë kanë shkaktuar reagime në mesin e avokatëve të të drejtave digjitale, të cilët paralajmërojnë se masa mund të nxitë aktivitet të rrezikshëm ilegal online.

“Dua t’i shoh fëmijët larg pajisjeve të tyre dhe të dalin në fusha vrapimi dhe pishina, si dhe në fusha tenisi”, ka deklaruar Albanese në mes-shtator për ABC-në australiane. “Ne duam që ata të kenë përvoja të përnjëmendta me njerëzit, sepse ne dimë se media sociale po shkakton dëm social”.

Ligji do ta bënte Australinë një prej vendeve të para në botë që do të kufizonte moshën në mediat sociale. Përpjekjet e mëhershme, përfshirë ato të vendeve të Bashkimit Evropian, dështuan për shkak të ankesave për reduktimin e të drejtave digjitale të të miturve.

Australia ka një prej popullsive me përdorim më të madh të internetit në botë, me katër në pesë australianë në vendin me 26 milionë banorë, që kanë qasje në mediat sociale.

Albanese ka folur për kufizimin e moshës pas një hetimi parlamentar për efektet e mediave sociale në shoqëri, ku nganjëherë janë dëgjuar dëshmi emocionale të ndikimit të mediave sociale në shëndetin mendor të tinejxherëve.

Por gjatë hetimit ka pasur edhe shqetësime nëse ulja e kufizimit të moshës do të mund të sillte sukses, sepse është ngritur droja se mund të ketë nxitje të aktivitetit të mbuluar online të tinejxherëve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com