Zyra Kombetare e Auditimit

Auditorja e Përgjithshme i reagon RTK-së, zyrtari i shkarkuar ishte bashkëpunues

Zyra Kombëtare e Auditimit në një njoftim për media ka sqaruar se Auditorja e Përgjithshme ka kërkuar nga RTK-ja të rezervohet nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat e brendshme deri sa raportet e auditimit të bëhen publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), njofton opinionin publik se aktualisht është në fazën finale të auditimit financiar dhe të performancës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“Sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik, ZKA-ja nuk shpalos asnjë informatë apo nuk komenton lidhur me një auditim para se ai të ketë kaluar të gjitha fazat dhe të bëhet final”, thuhet në reagim.

Sipas komunikatës, në shkresën e Auditores së Përgjithshme drejtuar Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, thuhet se nuk ka ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumentave nga zyrtari i liruar nga detyra.

“Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me ZKA-në, ju njoftojmë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja.

“Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar Ahmetxhekajt.

Të enjten e kaluar, më 31 mars 2022, KALLXO.com raportoi se Arian Sahiti, drejtor i Departamentit të marketingut në Radiotelevizionin e Kosovës, është shkarkuar nga kjo pozitë.

Këtë e kishte konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Mungesa e strategjisë, komunikimi dhe përformanca e dobët, bashkëpunimi i dobët me auditorin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe auditorin e jashtëm, ishin disa nga arsyet e lirimit nga detyra të Tahirit, ka thënë Ahmetxhekaj.

 

Shkarkohet drejtori i marketingut të RTK-së