Ilustrim nga Trembelat

Auditori: Zyra e Haradinajt i ndau 53 mijë euro për OJQ-të pa thirrje publike e komision vlerësues

Katër organizata jo qeveritare kishin përfituar 53 mijë euro fonde nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në kohën kur qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Këto fonde ishin marrë direkt nga kjo zyrë, pa konkurs publik e as pa komision që do të vlerësonte se kujt do t’i delegoheshin fondet.

Kjo është njëra nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Zyrën e Kryeministrit gjatë  vitit 2019.

Auditori thekson se ndarja e subvencioneve për OJQ-të është bërë duke mos respektuar rregulloren e cila tregon saktë se çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet me thirrje publike, e cila duhet të publikohet në faqen e ofruesit të mbështetjes financiare.

“Po ashtu, sipas nenit 8, ofruesi i mbështetjes financiare, duhet të themeloj komisionin vlerësues, i cili do të merret me vlerësimin e aplikacioneve sipas thirrjes publike dhe të bëj përzgjedhjen e përfituesve”, thuhet në raportin e vitit 2019.

Sipas raportit, në katër raste të testuara në vlerë 53 mijë eurove, ku përfitues ishin OJQ-të lidhur me organizimin e festave të komuniteteve si dhe organizime të koncerteve në kampin multietnik, Zyra për Çështje të Komuniteteve nuk kishte aplikuar shpalljen për thirrje publike, si dhe nuk kishte caktuar një komision vlerësimi.

“Përzgjedhja e këtyre OJQ-ve ishte bërë në bazë të kërkesave direkte të tyre në ZÇK, aprovimit nga kabineti i Kryeministrit, dhe më pas, lidhjes së marrëveshjeve me drejtorin e ZÇK-së”, theksohet në raport.

Në dy nga këto raste, kërkesat për organizim të festave memoriale ishin bërë nga Këshilli Organizativ i Festës Memoriale të Romëve të Kosovës, si dhe kërkesa nga Këshilli Organizativ i Festës Memoriale të Komunitetit Turk, ndërsa marrëveshjet për ndarjen e mjeteve, ishin bërë me OJQ të cilat nuk kishin parashtruar kërkesë lidhur me këto organizime dhe për të cilat nuk kishte ndonjë dëshmi se si ishte vendosur përzgjedhja e tyre.

ZKA ka theksuar se sipas drejtorit të Zyrës për Çështje të Komuniteteve, këto OJQ ishin përzgjedhur në bashkëpunim me Këshillat Organizative të këtyre komuniteteve.

“Këto mangësi kishin ndodhur si pasojë e planifikimit të dobët të ndarjes së subvencioneve për OJQ-të nga ZÇK, dhe mos respektimit të rregullores qeveritare mbi financimin e OJQ-ve”, thuhet tutje në raport.

Sipas ZKA-së ndarja e subvencioneve duke mos respektuar kërkesat e rregullores në fuqi, ngrit dyshime nëse fondet janë përdorë për qëllimet e synuara, dhe në pajtim me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me rregullore.

Ndërsa në anën tjetër Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtori i ZÇK-së, duhet t’i analizojnë shkaqet se pse rastet e mësipërme kanë ndodhur dhe të marrin masa të menjëhershme për ndërprerjen e praktikave të tilla.

“Gjithashtu, në fazat e ardhme të sigurojnë se përzgjedhja e OJQ-ve bëhet ekskluzivisht në pajtim me kriteret, standardet dhe procedurat e përcaktuara me Rregulloren nr.04/2017”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Një tjetër gjetje nga ana e Auditorit ishte edhe mungesa e procesit të vlerësimit gjatë ndarjes së subvencioneve për persona fizik në vitin 2019.

Sipas ZKA-së, në gjashtë raste të testuara, në vlerë 28 mijë e 550 euro, ku përfitues të subvencioneve nga ZKM ishin personat fizik.

Raporti i ZKA-së thotë se mjetet ndaj personave fizik ishin ndarë në mungesë të vlerësimit nga një komision vlerësues, por vetëm duke u bazuar në kërkesën individuale drejtuar Zyrës për Komunitete.

“Më tutje, këto kërkesa ishin dërguar për aprovim në kabinetin e Kryeministrit nga drejtori i ZÇK-së, dhe të njëjtat ishin aprovuar përmes vendimeve të Kryeministrit, për ndarjen e mjeteve ndaj këtyre përfituesve”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kërkesat e parashtruara, nuk ishin bërë përmes formularit të aplikimit, siç kërkohet në këtë program, pasi formulari nuk ishte i publikuar nga ZÇK në faqen zyrtare.

Kërkesat sipas ZKA-së, kryesisht kishin të bënin me ndihmë financiare për renovim të shtëpisë, megjithatë nuk arsyetonin mjaftueshëm nevojën për ndihmën e kërkuar.

Gjithashtu në katër raste të tjera të testuara të përfituesve fizik, në vlerë të 17 mijë e 500 euro, të cilët ishin përzgjedhur përmes komisionit të vlerësimit, ZKA ka vërejtur se njëri anëtar i komisionit të vlerësimit ishte zëvendësuar, pasi ky i fundit kishte munguar për shkaqe shëndetësore.

“Zëvendësimi i anëtarit nuk ishte bërë me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm por vetëm me njoftim nga Drejtori i zyrës për komunitete drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Ky njoftim për emërim ishte bërë pas përgatitjes së raportit të vlerësimit nga komisioni. Vlen të theksohet se përfituesit, përveç kërkesës individuale, nuk kishin asnjë dëshmi tjetër që do të arsyetonte ndihmën e kërkuar”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, mos caktimi i komisionit të vlerësimit, kishte ndodhur pasi Zyra për Komunitete nuk kishte propozuar formimin e një komisioni për vlerësimin e kërkesave të personave fizik, pasi sipas tyre, të gjitha kërkesat ishin me urgjencë dhe me urdhër të Kabinetit.

Gjithashtu Auditori ka vlerësuar se mungesa e procesit të vlerësimit nga komisioni vlerësues në ndarjen e subvencioneve ndaj personave fizik, rrezikon transparencën në procedurat e vendimmarrjes, mundësinë e ndarjes së mjeteve personave jo meritor, dhe pa një qëllim të qartë të ndarjes së fondeve.

Rekomandimi i ZKA-së në këtë rast është që Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, duhet të sigurojnë se për çdo proces të ndarjes së subvencioneve ndaj personave fizik, të formohet komisioni i vlerësimit i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave bazuar në dëshmi të mjaftueshme për arsyetimin e dhënies së ndihmës.

“Në rast të ndryshimit të përbërjes së komisionit, kjo të bëhet përmes vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm”, theksohet në rekomandim.