Ndërtesa e Qeverisë - Foto: REL

Auditori: ZKM pati keq-klasifikim të shpenzimeve

Zyra e Kryeministrit sipas Auditorit të Përgjithshëm nuk ka arritur të që bëj klasifikim të mirëfilltë të shpenzimeve ashtu siç është e paraparë me kodet ekonomike.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, thuhet se gjatë vitit 2019 kanë gjetur se disa nga pagesat nuk janë bërë nga kodet adekuate.

Sipas raportit pagesat kanë rezultuar me gabime për shkak të klasifikimit të gabuar qysh në fazën e aprovimit të Ligjit mbi ndarjet buxhetore.

Gjithashtu ZKA ka listuar edhe gabimet që janë bërë nga ana e ZKM-së.

“Pagesa në vlerë 68,000€, sipas kontratës për instalimin e pajisjeve të fabrikës së riciklimit “Furnizim me pajisje për asgjësimin e mbetjeve shtazore”, ishte paguar nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa do të duhej të paguhej nga investimet kapitale pasi kjo kontratë ishte pjesë e projektit kapital “Ndërtimi i fabrikës së riciklimit””, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kjo kishte ndodhur pasi në vitin 2019 ky projekt ishte larguar nga tabelat e buxhetit për projektet kapitale, meqë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte kërkuar nga Ministria e Financave (MF) të largohen disa projekte jo kapitale nga tabelat e buxhetit për projekte kapitale që ishin buxhetuar gabimisht.

“Pagesat në vlerë 10,426€, për shërbimet e mirëmbajtjes së programit softuerik për kontrollin e importit dhe eksportit të kafshëve të gjalla dhe produkteve shtazore ishin paguar nga investimet kapitale, ndërsa i takojnë mallrave dhe shërbimeve dhe Katër pagesa në vlerë 41,450€, për kompensimin e dëmit të fermerëve (asgjësimi i krerëve të gjedhit si pasojë e sëmundjeve infektive) janë paguar nga mallrat dhe shërbimet, edhe pse i takojnë subvencioneve dhe transfereve. Kjo kishte ndodhur pasi për vitin 2019, MF nuk i kishte aprovuar AUV-it buxhet në kategorinë e subvencioneve dhe transferove”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas raportit të ZKA-së, me vendime të veçanta, Qeveria i kishte ndarë fonde ZKM-së në shumën prej 101 mijë e 375 euro, të cilat po ashtu ishin ndarë në kode të gabuara ekonomike.

“Pagesa në vlerë 43,505€ për projektin “Ndërtimi dhe rregullimi i infrastrukturës hekurudhore në muzeun Bllaca”, ishin bërë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, përderisa kontrata ishte për punë dhe i takonin kategorisë së investimeve kapitale”, ishte njëri projekt sipas ZKA-së.

Kjo sipas Auditorit kishte ndodhur pasi këto projekte nuk ishin planifikuar dhe aprovuar me kohë, në ligjin e buxhetit si projekte kapitale, dhe si rezultat ZKM nuk kishte pasur mjete në kategorinë e investimeve kapitale për t`i realizuar këto pagesa.

ZKA ka përmendur edhe një pagesë tjetër.

“Pagesa në vlerë 57,870.00€, për dhënien e shpërblimeve për personelin arsimor dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të), nga Koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport, e cila kishte të bënte me ndarjen e një shume të caktuar të mjeteve ndaj personelit të përzgjedhur  arsimor dhe të DKA-ve, ishte paguar nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa i përket natyrës së shpenzimit të kategorisë së subvencioneve dhe transferove”, thuhet tutje në raport.

ZKA ka thënë se përveç gabimeve me rastin e ndarjeve buxhetore, ZKM ka kryer pagesa në vlerë 14 mijë e 998 eurove për projektin “Ndërtimi i Obeliskut” në oborrin e Qeverisë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, përderisa ishin kontrata për punë dhe i takonin kategorisë së investimeve kapitale.

Auditori ka konsideruar se gabimet më sipër kanë ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të buxhetit nga ana e Qeverisë dhe kujdesit të pamjaftueshëm të menaxhmentit të ZKM për të parandaluar ndarjet buxhetore në kodet e gabuara të shpenzimeve.

Sipas raportit ZKA ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit (apo të bëhet ridestinimi i mjeteve sipas kërkesave ligjore) dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve bëhet në mënyrë strikte sipas kodeve ekonomike adekuate.