Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Auditori: Vonesat në pagesa për kompensimin e palëve shkaktuan dëme buxhetit të Komunës së Pejës

Mjetet për dëmshpërblimin e nxënëses së mitur, e cila ishte lënduar nga shpërthimi i kaldasë së ngrohjes brenda shkollës nuk u paguan me kohë, u dashtë intervenimi i Gjykatës që këto pagesa të kryhen.

Gjykata obligoi Komunën e Pejës ta dëmshpërblej nxënësen e cila ishte lënduar nga shpërthimin i ngrohjes qendrore.

Raporti i Auditimit për vitin 2018-të, për Komunën e Pejës, në mes tjerash ka evidentuar se pagesat të realizuara me vendim të Gjykatës kalojnë shumën gjysmë milioni euro, duke shkaktuar shpenzime shtesë dhe rrezikuar realizimin e projekteve të parapara.

Auditori gjeti se për shkak të vonesave nga ana e Komunës, Gjykata e detyroi atë (Komunën e Pejës) t’i paguaj mbi gjysmë milioni euro kompensime ndaj palëve sipas vendimeve të Gjykatës.

Në rastin e nxënëses së lënduar në shkollë, Komunës së Pejës i është dashur të paguaj më shumë se sa borxhi bazë sipas vendimit të Gjykatë, e cila kishte obliguar fillimisht Komunën që në këtë rast palës t`ia paguaj 56,675€.

“Ne kemi gjetur se ishin ekzekutuar pagesa në bazë të vendimeve gjyqësore në vlerë prej 539.411.00€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 478.284.00€, kamata për vonesa në pagesë dhe shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit) ishin 61,126€. Tejkalimi i afatit ligjor prej 30 ditëve në mungesë të buxhetit, ka ndikuar në marrjen e mjeteve nga kategoritë ekonomike jo adekuate. Kemi testuar dy pagesa të cilat janë ekzekutuar sipas vendimeve gjyqësore/përmbarimor, si: Pagesa prej 20,151€ për “Digjitalizimin e Operatit Kadastral” – prej tyre borxhi kryesor ishte 17,857€, kurse shpenzimet tjera ishin 2,294€; dhe Pagesa prej 73,068.14 për dëmshpërblimin e një nxënëse e cila kishte pësuar lëndime fizike/psikike nga shpërthimi i kaldatorës së ngrohjes qendrore në një shkolle fillore. Prej tyre borxhi kryesor ishte 56,675€, kurse shpenzimet tjera ishin 16,393€”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Tutje Auditori tregon se në të dy rastet Komuna e Pejës kishte kundërshtuar kryerjen e pagesave duke u bazuar në arsyet e dhëna megjithatë pretendimet e Komunës ishin të pasuksesshme për faktin që Gjykata kishte vendosur jo në favor të Komunës.

Në raport sqarohet se neni 39 i LMFPP përcakton ZKF-në e organizatës buxhetore përgjegjës për të siguruar që çdo faturë e vlefshme të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim.

Auditori sqaron se pagesat përmes vendimeve gjyqësore shkaktojnë shpenzime shtesë dhe rrezikojnë realizimin projekteve të parapara.

“Shumat e ekzekutuara të pagesave në bazë të vendimeve gjyqësore krijojnë shpenzime shtesë duke reflektuar në prishjen e bilancit buxhetor dhe rrezikon mos realizim të projekteve të planifikuara dhe zvogëlim të fleksibilitetit në shpenzimet e komunës”, vlerëson Auditori.

Auditori i rekomandoi kryetarit se duhet të siguroj se do të bëj një planifikim të mirëfilltë të buxhetit, duke forcuar disiplinën financiare për kryerjen e pagesave me kohë dhe marr masat e duhura për menaxhimin e duhur të obligimeve si dhe evitimin e shpenzimeve shtesë.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kreu i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri konfirmoi se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit  të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018-të, të Komunës së Pejës.

.