Objekti i ATK-së | Foto: KALLXO.com

Auditori: Ushtrimi i detyrës së drejtorit të auditimit të brendshëm në kundërshtim me vendimin e KPMSHC dhe ATK-së

Ushtrimi i detyrës së drejtorit të auditimit të brendshëm, doli të jetë në kundërshtim me vendimin e KPMSHCK [Këshilli i Pavarur Mbikqëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës], dhe të Adminstratës Tatimore të Kosovës, që e kishte vendosur në një tjetër pozitë.

Raporti tregon se përkundër vendimit, ka vazhduar t’i kryej shërbimet e auditimit të brendshëm.

“Bazuar në vendimin e KPMSHCK nr. A 461/2021 të datës 23.06.2021, Drejtori i ATK-së ka nxjerr vendimin nr.186 më datë 09.07.2021 për risistemimin e Drejtorit të AB-së në pozitën e zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm. Ne vërejtëm se edhe pas këtij vendimi (nga muaji korrik 2021 e deri në maj 2022) zëvendës drejtori i përgjithshëm ka vazhduar të kryej detyrat dhe funksionin e Drejtorit të NjAB-së. Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2021 ai kishte nënshkruar 7 raporte të NjAB, si dhe kishte kryer raportin vjetor për NJQH AB në fund të vitit 2021”, thuhet në gjetjen e raportit.

Ndër shkaktarët e kësaj gjendje, sipas raportit, kanë qenë analizat e pamjaftueshme të proceseve që e rregullojnë këtë fushë para marrjes së vendimeve fillestare.

Më tutje, ushtrimi i detyrës së drejtorit të auditimit të brendshëm nga punonjësi i cili me vendim është sistemuar në pozitë tjetër menaxheriale, auditori thotë se mund të ndikojë në pavarësinë e procesit të AB dhe në konfliktin e detyrave në mes dy pozitave formale dhe jo formale, andaj kreut të këtij institucioni ju rekomandua të sigurohet që detyrat ushtrohen në përputhje me vendimet.

“Drejtori i Përgjithshëm në koordinim me Ministrin e Financave duhet të sigurojnë zgjidhje efektive në mënyrë që detyrat të ushtrohen në përputhje me vendimet/aktemerimet për të cilën janë emëruar zyrtarët brenda ATK-së”, rekomandon raporti.

Nga menaxhmenti i këtij institucioni pajtohen me gjetjen.

Nëpërmjet letër konfirmimit, nga ATK thuhet se e kanë pranuar draft raportin Zyrës Kombëtare të Auditimit, për Auditimin e Pasqyrave Financiare të Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2021.

ATK pajtohet me gjetjet e raportit, në përjashtim të vlerësimit te rasti i llogarive të arkëtueshme ku potencohet si rekomandim i pa zbatuar, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për përmbushje në plotëni. Sipas tyre, është proces i vazhdueshëm që asnjëherë nuk mund të realizohet i tëri dhe mendohet se duhet të jetë rekomandim në vijim.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për ATK-në e gjeni KËTU.