Auditori: Universitetet paguan mbi 42 mijë euro kompensime të parregullta për punëtorë

Mbi 42 mijë euro pagesa janë bërë nga katër universitetet publike të Kosovës për punëtorë që janë angazhuar nëpër komisione të ndryshme.

Auditori i përgjithshëm ka argumentuar se sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike nuk lejohet  kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik.

Në bazë të këtij ligji shërbimi konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi, shërbyesi civil ose zyrtari.

Në raportin e Zyrës së Auditorit për Ministrinë e Arsimit thuhet se katër  nga gjashtë universitetet në kuadër të MASh-it  me aprovime të këshillave drejtuese kishin përfshirë në rregullore kompensime shtesë për pjesëmarrje në disa lloje të komisioneve që konsiderohen si jo statutare.

Auditori ka bërë të ditur se komisionet e tilla ishin për pjesëmarrje në hapje dhe vlerësimin e ofertave të prokurimit, regjistrimin dhe vlerësimin e pasurisë, planifikimin e buxhetit, pranimin e studentëve të rinj, për ankesa dhe parashtresa, rekrutim të stafit, ndarjen e bursave, hartimin e strategjive dhe rregulloreve mbështetëse etj.

Raporti i Auditorit ka sqaruar se këto komisione ishin emëruar nga rektorët e këtyre universiteteve dhe ishin paguar, ku vlera e kompensimeve të tilla për vitin 2019 ishte 42 mijë e 750 euro.

Auditori ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se organet e këtyre universiteteve me rastin e përpilimit të rregulloreve përkatëse, nuk kishin marrë parasysh ndalesat ligjore për këto lloje të kompensimeve.

Ndikimi i kompensimeve shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të pozitës të cilin e mban punonjësi nuk janë të mbështetura me bazë ligjore, dhe si të tilla sipas auditorit mund ta dëmtojnë buxhetin e Universiteteve përkatëse – ministrisë për vlerën e shpenzuar.