Auditori: Trepça nuk ka paguar kontributet dhe tatimet në paga për punëtorët që nga viti 2020
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ndërmarrja Publike “Trepça” nuk ua ka paguar punëtorëve të saj kontributet dhe tatimet në paga, që nga vitit 2020.
Sipas raportit për ndërmarrjen “Trepça” për vitin 2023, tek detyrimet e tjetra afatshkurtra “Trepça” kishte prezantuar tatim në paga i pagueshëm vlerën prej 2 milionë e 157 mijë e 218 euro; te kontributi i pagueshëm e ka paraqitur vlerën 3 milionë e 256 mijë e 317 euro; dhe te interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute vlerën 1 milion e 501 mijë e 469 euro.
“Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute” – thuhet në raportin e Auditorit.
Për më tepër, thotë ZKA-ja, në njësinë biznesore në Leposaviq kishte një diferencë mes punëtorëve të deklaruar në ATK dhe regjistrit të personelit.
Sipas Auditorit, kjo gjendje ishte për faktin se punëtorët ishin pa dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe sipas personelit në veri nuk ishte e mundur të bëhej deklarimi i tyre.
“Pra për rreth 110 punëtorë ndërmarrja nuk kishte deklaruar në ATK tatimet në pagë. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit, kjo kishte ndodhur për shkak të gjendjes së vështirë financiare të ndërmarrjes” – thuhet në tutje në raportin e ZKA-së.
Sipas ZKA-së, moskryerja e pagesave dhe kontributet dhe tatimet ndaj punëtorëve ndikojnë në rritjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe ATK-së, si dhe krijon detyrime shtesë nga ndëshkimi, interesi dhe paditë të cilat shkaktojnë në vazhdimësi rritje të këtyre borxheve.
“Bordi mbikëqyrës duhet të marrë masat e menjëhershme për shlyerjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe ATK-së në mënyrë që të shmanget rritja e vazhdueshme e kostove shtesë që rrjedhin nga këto obligime, si dhe të trajtoj rastet e punëtorëve të pa deklaruar” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për ndërmarrjen “Trepça”.
Me këtë të gjetur të ZKA-së menaxhmenti i “Trepça” është pajtuar.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike “Trepça” mund ta gjeni KËTU.
Momentalisht punëtorët e Trepçës janë në grevë, pasi ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor.
Vazhdon greva e minatorëve të Trepçës, ende nuk i kanë marrë pagat e qershorit