Auditori: ‘Trainkos’ realizoi të hyra në kundërshtim me statutin dhe planin e biznesit

Raporti i Auditorit për ndërmarrjen publike ‘Hekurudhat e Kosovës’-Trainkos Sh.A, në mes tjerash, evidenton se ndërmarrje kishte më realizuar të hyra përtej statutit  dhe planit të biznesit të ndërmarrjes.

Auditori i Përgjithshëm gjeti se ndërmarrja realizoi të hyra nga shitja e naftës përkundër se ishte jashtë statutit dhe planit të biznesit.

“Trainkos gjatë vitin 2019, ka realizuar të hyra tjera duke shitur naftë ndërmarrjes publike Infrakos sh.a në shumë prej 37,527€. Këto të hyra Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj, rrjedhimisht edhe jashtë planit të biznesit. Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a. të datës 16.04.20192. Për më tepër Trainkos naftën ia shet Infrakos sh.a me çmim të furnizimit pa aplikuar ndonjë tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj.“, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori vlerëson se aktivitetet të cilat zhvillohen në kundërshtim me statutin dhe planin e biznesit ndikojnë në zvogëlimin e vëmendjes në fushat kryesore ku gjenerohen të hyrat. Për më tepër gjenerimi i të hyrave jashtë mandatit statutor rrezikon të sanksionohet nga autoritetet kompetente për mbikëqyrjen e tregut.

Sipas raportit, Trainkos me statut ka përcaktuar që aktivitetet e saj të jenë si në vijim: menaxhimi, operimi dhe ofrimi i shërbimeve për transportin për udhëtar dhe mallra, pastaj ofrimi i shërbimeve të mirëmbajtjes dhe renovimit të të gjitha mjeteve lëvizëse për institucionet tjera jashtë hekurudhës. Nga këto aktivitete Trainkos gjeneron të hyra.

Më tej thuhet se bordi të drejtorëve iu rekomandua të siguroj se ofrimi i shërbimeve bëhet vetëm për ato veprimtari të cilat janë të përcaktuara me statut dhe të marr masat e duhura për ndërprerjen e shitjes së naftës ndaj ndërmarrjes tjetër. Po ashtu të rishikojë marrëveshjen duke i përjashtuar të gjitha ato punë dhe shërbime që mund të ofrohen direkt nga operator tjerë ekonomik dhe që nuk janë veprimtari statutore e ndërmarrjes.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit është pajtuar menaxhmenti i ndërmarrjes.

Tutje, përmes letërkonfimimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, konfirmoj  se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Ndërmarrjes Publike “Hekurudha e Kosovës”-Tranikos Sh.A.