Auditori thotë se ndërmarrja “Trepça” pagoi pensione të parakohshme pa bazë ligjore për 288 punëtorë
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ndërmarrja publike “Trepça” gjatë vitit 2023 ka paguar pensione të parakohshme për 288 punëtorë, pa bazë ligjore.
Sipas raportit të ZKA-së, “Trepça” kishte realizuar pagesa në emër të pensioneve të parakohshme, për mesatarisht 288 persona në vlerë totale 70 mijë e 550 euro, duke u bazuar në një vendim të menaxhmentit të vitit 2006.
“Vendimi kishte specifikuar se këtë të drejtë pensionistët e gëzojnë deri në hartimin e ligjit sistemor. Ne kemi kërkuar sqarime plotësuese, mirëpo ndërmarrja nuk ka arritur të na dëshmojë bazën ligjore për këto pagesa” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Tutje, sipas ZKA-së, rreth 240 prej tyre që kanë marrë pensione nga ndërmarrja, kanë marrë pension mujor të parakohshëm edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Kjo ka ndodhur për shkak të mos veprimeve ndër vite nga ana e menaxhmenteve të ndërmarrjes. Pagesa të tilla pa qartësim të bazës ligjore ndikon në rritjen e shpenzimeve të ndërmarrjes” – thuhet në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që bordi mbikëqyrës të sigurojë veprime konkrete pë të trajtuar çështjen e kompensimeve.
Me këtë të gjetur të ZKA-së menaxhmenti i “Trepça” është pajtuar.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike “Trepça” mund ta gjeni KËTU.