Auditori: Rahoveci pagoi punëtorë pa kontrata

Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2019 ka paguar disa zyrtarë për të cilët komuna nuk posedon kontrata.

Kjo është një nga gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm, ku ka thënë se për 19 zyrtarë të cilët janë të angazhuar në Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, komuna nuk ishte në gjendje t’i ofrojë dosjet e kompletuara apo kontratat e këtyre zyrtarëve, në bazë të të cilave kryhet kompensimi i pagave.

“Vlera e kompensimit për këta zyrtar gjatë vitit 2019 ishte 113,871€. Sipas menaxherit të personelit nuk ka dokumentacion relevant për këta zyrtar. Kjo ka ndodhur si pasojë e mos bartjes së buxhetit tek Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, pjesë e të cilës janë këta punëtorë sipas legjislacionit aktual në fuqi”, thuhet në raportin financiar të kësaj komune të bërë nga auditori.

Auditori ka theksuar se pagesa e pagave për zyrtarët, në mungesë të dokumentacionit relevant, rezulton në pamundësinë për të justifikuar pagën/shtesat ose për të mundësuar shqyrtimin e rezultateve nga vlerësimet e përformancës, po ashtu pagesat e shtesave.

Auditori ka rekomanduar që kryetari duhet të kërkojë nga personat përgjegjës, që për zyrtarët të cilët paguhen nga buxheti i komunës të sigurohen së paku dosjet me informata bazike përfshirë kontratat e punës, si dhe raportet mujore për vijueshmërinë e tyre në punë, për t’u siguruar se janë paguar vetëm punëtorët legjitim dhe që kanë ofruar shërbimet.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi është pajtuar me të gjeturat dhe nuk ka pasur ndonjë koment në lidhje me to.