Auditori: Posta e Kosovës pagoi më shumë se 300 mijë euro për 18 pika postare, njëra nuk ekziston fare

Posta e Kosovës pretendohet se ka paguar një shumë prej 334 mijë e 374 eurove për ndërtimin e 18 pikave shitëse (butik posta) dhe asnjëherë nuk i ka funksionalizuar ato.

Madje këto pika shitëse të “Postës së Kosovës” sipas Auditorit janë të dëmtuara ndërsa njëra pikë nuk ekziston fare.

Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e publikuar ka shpjeguar në detaje gjetjet e tyre gjatë auditimit të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” ndërsa njëra ndër pikat është edhe vlera e prezantuar në Pasqyrat vjetore financiare.

Sipas ZKA-së,  “Posta e Kosovës” ka prezantuar investimet në Pasqyrat Vjetore Financiare vlerën e parave prej 388 mijë e 409 euro.

Kjo vlerë sipas auditorit nuk prezantonin gjendjen e saktë të pasqyrave financiare, për shkak se “Posta e Kosovës” në vitin 2012 ka regjistruar në zërin “Investime në vijim” vlerën 315 mijë e 92 euro të projektit “Ndërtimi i pikave shitëse (Butik Posta)” si projekt i trashëguar nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) me rastin e ndarjes së këtyre dy ndërmarrjeve.

Për realizimin e këtij projekti ku ishte i paraparë ndërtimi i 18 pikave shitëse, ish- PTK kishte nënshkruar kontratë me një operator ekonomik më datë 15 mars 2010.

Më tej, për mos pagesë të disa punëve shtesë të realizuara për ketë projekt, në vitin 2013 kompania kishte parashtruar padi në gjykatë dhe me aktgjykimin e datës 19 maj 2021 të Gjykatës së Apelit i aprovohet kërkesëpadia tij në bazë të së cilit ndërmarrja kishte kryer pagesën e mbetur për ketë projekt, duke shtuar vlerën e investimeve në vijim për 19 mijë e 282 euro.

Megjithatë, ZKA ka gjetur se ndërmarrja nuk i kishte funksionalizuar këto objekte edhe pse realizimi i punimeve kishte përfunduar, ato ende vazhdojnë të mbahen si investime në vijim.

“Për më tepër, sipas raportit të dërguar nga shefi i njësive mbështetëse mbi gjendjen aktuale të tyre, një pikë shitëse nuk ekziston fare (vlera 18,576€), ndërsa pjesa tjetër e tyre janë shumë të dëmtuara ose pothuajse të shkatërruara”, thuhet në raport.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, shkak i mos funksionalizimit të këtyre pikave shitëse ishin mangësitë në projektin fillestar, pozitat jo të përshtatshme të vend vendosjes së tyre, të cilat më shumë do të shkaktonin shpenzime se sa të hyra, si dhe kostot të larta shtesë për riparimet e dëmtimeve të tyre.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka thënë se menaxhmenti nuk kishte kontrollin e duhur mbi pasuritë.

“Mos funksionalizimi i projekteve të përfunduara si dhe mos trajtimi i tyre sipas kërkesave të SNK 36, ka ndikuar në keqmenaxhim të investimeve dhe prezantimin jo të sakë të vlerës së pasurive në pasqyra financiare vjetore”, thuhet tutje në raport.

Madje ZKA ka rekomanduar Bordin e Drejtorëve që të formoj një komision dhe të vlerësoj gjendjen funksionale të këtyre pikave si dhe të analizoj nevojën e ndërmarrjes për ekzistimin e tyre.

“Me një raport të veçantë ta informoj menaxhmentin për gjendjen e tyre të përgjithshme. Më pas, menaxhmenti të merr vendimet e duhura se si të veprohet me to dhe të bëj regjistrimet e duhura në regjistrat e pasurive”, thuhet në përfundim të gjetjes së Auditorit për Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”.