ILUSTRIM - Polic i Kosovës- foto: Fatrion Ibrahimi -KALLXO

Auditori: Policët ushtrojnë pozitat e punës në mospërputhje me gradat

Në raportin për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Zyra e Auditorit ka gjetur shkelje edhe në Policinë e Kosovës.

Sipas raportit, ka zyrtar policor të cilët ushtrojnë pozitat e punës në mospërputhje me gradat të cilat ata i kanë.

Auditori ka bërë të ditur se Udhëzimi Administrativ për rregullimin e marrëdhënies së punës në Policinë e Kosovës, përkatësisht neni 39 paragrafi 3 përcakton se me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë secili zyrtar i Policisë mund të caktohet në një vend të punës apo transferohet prej një vendi në vendin tjetër të punës nëse i plotëson kushtet dhe kriteret e parapara për atë vend të punës, pa marrë parasysh nivelin, pozitën apo gradën.

Në raportin e auditorit thuhet se Udhëzimi Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor përcakton kriteret që duhet t’i plotësoj secili Zyrtari Policor për pjesëmarrje në gradim dhe procesin e testimit që duhet t’i nënshtrohet për të marrë gradën e caktuara.

Auditori ka vërejtuar se përkundër një përmirësimi nga viti paraprak, një numër i stafit policor ende është sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative.

Sipas të dhënave nga njësia e personelit, 198 zyrtarë policor vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit.

“Vlen të theksohet se Policia e Kosovës në vitin 2019, kishte kryer disa procese të gradimit për reduktim të numrit të punësuarve që ushtrojnë pozita me grada më të larta por deri më tani këto procese janë të pamjaftueshme për respektimin e plotë të kritereve të sistematizimit në vendet e punës sipas gradës përkatëse”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, sistemi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate mund të ndikoj që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale.

Auditori i ka rekomanduar Minstrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës që të sigurojnë që sistemimi i stafit policor në pozita të bëhet pas plotësimit të gradave dhe kushteve për vendin e caktuar të punës dhe që procesi i gradimit është duke u zhvilluar për t’ju përgjigjur nevojave të PK-së.