Auditori nuk e ka pranuar ende opinionin ligjor nga Kuvendi, për auditimin e RTK-së

Pas njoftimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrhamani, se zyra Ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë opinion ligjor që Zyra Kombëtare e Auditimit ka të drejtë dhe obligim të auditojë çdo vit Radio Televizionin e Kosovës, ZKA-ja ka thënë se ende nuk e kanë pranuar nga Kuvendi një përgjigje të tillë.

Saranda Husaj Baraliu, drejtoreshë e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional në ZKA, ka thënë për KALLXO.com, se nuk e kanë pranuar përgjigjen nga Kuvendi për këtë opinion ligjor.

“Ne ende nuk kemi pranuar nga Kuvendi, përgjigjen lidhur me opinionin ligjor për auditimin e RTK-së”, thuhet në përgjigje.

Deputeti Rrahmani, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kishte thënë se Zyra ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dhënë opinion ligjor se Zyra Kombëtare e Auditimit ka të drejtë dhe obligim të auditojë çdo vit Radio Televizionin e Kosovës.

“Zyra Kombëtare e Auditimit duhet që menjëherë të auditojë financat për çdo vit që ka humbur deri tani”, ka shkruar Rrahmani në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, KALLXO.com, ka pyetur ZKA-në se nisur nga ky opinion kur do të filloj auditimin e RTK-së.

“Në momentin që do ta pranojmë këtë opinion do ta trajtojmë me prioritet, varësisht nga opinioni i dhënë”, thuhet në përgjigje të ZKA-së.

Gjithashtu Husaj Baraliu, kishte treguar se në vitin 2018 ZKA-ja, sipas planit vjetor të punës, e kishte filluar një auditim të performancës të RTK-së.

Sipas saj edhe pse ishte kryer një pjesë e konsiderueshme e punës audituese që ka rezultuar me një draft-raport për pjesën e parë të auditimit, auditimi nuk ka përfunduar në tërësi për shkak se sipas saj menaxhmenti i RTK-së, në vazhdimësi përmes disa shkresave dhe në takimet e mbajtura e ka kontestuar të drejtën ligjore të ZKA-së për të kryer auditimin.

“Për të sqaruar këtë çështje ne kemi kërkuar interpretim ligjor nga Kuvendi i Kosovës dhe jemi në pritje të këtij interpretimi”, ka thënë ajo.

Sipas Saranda Husaj Baraliu sa i përket auditimit të rregullsisë RTK-ja është audituar gjashtë (6) herë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, nga të cilat: një auditim për të hyrat dhe shpenzimet, dy auditime për pasqyrat financiare, një auditim për përcjelljen e rekomandimeve, një auditim për menaxhimin financiar dhe sistemet e kontrollit dhe një auditim i performancës.

KALLXO.com, ka drejuar pyetje gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës se a e kanë njoftuar ZKA-në lidhur me këtë opinion, por ende nuk kanë kthyer përgjigjje.

Lidhur me auditimin e RTK-së, janë bërë disa diskutime edhe në Komisionet e Kuvendit të Kosovës.

Më 25 maj të këtij viti, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka shqyrtuar raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2020.

Kryesuesja e këtij Komisioni Doarsa Kica, kishte kërkuar nga përfaqësuesit e RTK-së, ta qartësojnë punën e Auditorit Gjeneral.

Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës konstaton se Auditori Gjeneral ka të drejtë dhe obligim të bëjë auditimin e RTK-së