Foto: Kallxo.com

Auditori: NPB me ushtrues detyre që nga viti 2021, jo në pajtueshmëri me ligjin

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar nëntë raste që Ndërmarrja Publike Banesore i kishte mbuluar me pozita si ushtrues detyre, të cilët kishin tejkaluar afatet ligjore të angazhimit. Disa nga ushtruesit e detyrës mbulonin pozitat e sekretarit të ndërmarrjes nga viti 2021, udhëheqësit e divizionit juridik nga vitit 2019, udhëheqësit e divizionit të administratës nga vitit 2022.

Kjo kishte ndodhur për shkak se ndërmarrja nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit për të mbuluar pozitat e rregullta.

Sipas Auditorit, praktika e mbulimit të pozitave me UD për periudha të gjata kohore përveç që nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme.

“Kjo mund të ndikojë negativisht në performancën e organizatës në përgjithësi” – thuhet në raportin e auditimit.

ZKA i ka rekomanduar NPB-së që bordi i drejtorëve duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitave të rregullta e të cilat funksionojnë me ushtrues detyre.

“Më tutje, kohëzgjatja e funksionit si UD të mos jetë më e gjatë se periudha e përcaktuar ligjore” – vazhdon raporti i auditimit.

Bazuar në rregulloren e brendshme për pagat, shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të punonjësve të NPB-së, përcaktohet se: në rastet kur një pozitë mbetet vakante për shkak të pushimit vjetor, mjekësor etj, por jo më shumë se 30 ditë, zëvendësimi bëhet me anët të sistemimit të përkohshëm.

Po ashtu, përcaktohet se Kryeshefi Ekzekutiv detyrohet të caktojë ushtrues detyre për pozicionin vakant për një periudhë 6 mujore.

Menaxhmenti është pajtuar me gjetjen.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të NPB-së.

Në raportin e auditimit të vitit 2022, NPB ka marrë 10 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe tri janë të përsëritura.

Në raportin e vitit 2021, NPB kishte marrë 13 rekomandime dhe prej tyre sipas ZKA-së i ka adresuar 10 dhe tri të tjera ende jo.